Politike

PD “çon” në Administrative kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj

Partia Demokratike do të çojë në Gjykatën Administrative vendimin e KAS për kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj.

“Me të njëjtin zell me të cilin KAS refuzoi të bënte transparencë para shqiptarëve për masakrën zgjedhore të 25 prillit, sot vendosi të shkelë Ligjin e Dekriminalizimit dhe të marrë në mbrojtje uzurpuesin e paligjshëm të bashkisë së Mallakastrës, pavarësisht dënimit të padeklaruar me 3 vite burg në Greqi.

Në kundërshtim me interesin e qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët mbështetën dhe mbështesin Ligjin e Dekriminalizimit, KQZ dhe KAS vendosën të marrin në mbrojtje shkelësit e këtij ligji të rëndësishëm për pastrimin e politikës nga krimi”, tha përmes një konference për shtyp, deputeti i zgjedhur i PD, Belind Këlliçi.

Më tej, ai nënvizoi: “Partia Demokratike nuk i pranon këto hapa prapa dhe do ta çojë këtë çështje në Gjykatën Administrative. Ligji i Dekriminalizimit është një fitore e shoqërisë shqiptare, ndaj nuk mund të shkelet për të amnistuar modelin që sundon dhe që e ka lënë Shqipërinë në vendnumëro”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë