Politike

PD: CoronaVac e Sputnik pa efekt! Rivaksinim me vaksina perëndimore, edhe për fëmijët mbi 12 vjeç

Partia Demokratike akuzon Qeverinë se e ka lëshuar fare menaxhimin e situatës së pandemisë. Deputeti i zgjedhur i demokratëve, Tritan Shehu paralajmëron se vendi po shkon drejt një katastrofe të re.

Ish-ministri i Shëndetësisë thotë se shifrat zyrtare të ofruara nga autoritetet për infeksionet dhe vdekjet nuk janë reale.

“Fatkeqësisht, çfarë kemi paralajmëruar prej muajsh po ndodh. Në realitet infeksionet e vdekjet sot janë më të larta se komunikimet zyrtare, siç dhe u zbulua deri tani me 16 mijë humbjet e jetëve”, shkruan ai.

Shehu akuzon Qeverinë për papërgjegjshmëri dhe pasivitet përballë gabimeve të saj në menaxhimin e situatës. Ai propozon shtatë pika si zgjidhje, mes të cilave edhe ajo që vaksinimi të zgjerohet dhe të përfshijë edhe fëmijët mbi 12 vjeç, ndërsa e cilëson si të papranyeshme faktin që Qeveria vazhdon të ofrojë vaksina të pacertifikuara nga EMA, si kineze e ruse.

“Është faj e mashtrim edhe më i rëndë i Qeverisë ndaj shqiptarëve t’u ofrojë akoma vaksina të pacertifikuara, kineze e ruse të paefektshme. Kjo duhet ndaluar e ndryshuar menjëherë, si veproi dhe Kosova”, deklaron Shehu.

Deputeti i zgjedhur i opozitës thotë se të gjitha të vaksinuarit me CoronaVac dhe Sputnik duhet të rivaksinohen me të dyja dozat me një vaksinë të miratuar nga EMA, madje thotë se këtë po e bëjnë dhe vende si Turqia, nga ne u furnizuam me vaksinat kineze.

Shehu kërkon që muajit tetor të organizohet aplikimi i dozës së tretë për të vaksinuarit me vaksina të sigurta, duke respektuar 6-9 muaj distancë nga doza e dytë.

“Duhet të zgjerohet gama e të vaksinuarve që prej moshës 12 vjeç”, propozon së katërti Tritan Shehu.

Së pesti, Shehu thotë se pas vetëm pas këtyre hapave mund të vihet në përdorim certifikata e sigurisë. Ish-ministri i Shëndetësisë përllogarit se për realizimin e imunizimit kërkohet vaksinimi i 85 për qind të popullsisë, që sipas tij janë 5.5 mln doza. Këtë e cilëson si objektiv të realizueshëm.

“Ka dhe masa të tjera të domosdoshme të kërkuara, që lidhen me rimodelimin e kujdesit parësor për forcimin e zgjerimin e gamës se procedurave Covid, rimbursimet, përgatitjen e të gjitha spitaleve, përmirësimet e shërbimeve të reanimacionit për të korrigjuar indekset e tyre, liberalizimet në treg, etj. Por, që për të keqen e shqiptarëve këto “kambana” nuk po e zgjojnë Qeverinë! Pra, ditë më të këqija na presin!”, mbyll propozimin e tij, Tritan Shehu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë