Politike

PD, Duma nxjerr padinë e depozituar në SPAK: Si u manipulua vota në Rrogozhinë

Deputetja e PD, Grida Duma deklaroi përmes një konference për shtyp se, 3 javë para ditës së zgjedhjeve, Partia Demokratike kallëzoi në SPAK personat kryesorë të përfshirë në “skemën e blerjes së votave”.

“Megjithëse pati 3 javë në dispozicion, SPAK heshti duke lejuar mercenarët e aleancës Rama-Doshi-Rakipi të zbatojnë skemën kriminale të blerjes së votave.

Sot, ne po vëmë në dijeni opinionin publik se cilët janë personat e përfshirë në masakrën elektorale të 25 Prillit në Bashkinë e Rrogozhinës duke përfshirë të pesta kallëzimet e dorëzuara në SPAK përpara dhe në ditën e zgjedhjeve”, tha ajo.

Duma tha se përmes këshillit Bashkiak të Rrogozhinës është ndryshuar kategoria e dëmit të shkaktuar nga tërmeti për 1700 familje dhe janë shtuar në skemën e zhdëmtimit edhe 961 familje që nuk ishin kategorizuar si familje të dëmtuara nga tërmeti.

“Me vendimet e datave 24.03.2021 dhe 12.04.2021 Bashkia akordoi grante që arrijnë deri në 35 milion lek për familje që thuajse nuk ishin dëmtuar nga tërmeti dhe ka përjashtuar pothuajse familjet e fshatrave Lekaj, Sinaballaj dhe Cikallesh që jetojnë prej 2 vitesh në çadra plastmasi pasi shtëpitë e tyre u rrënuan realisht nga tërmeti.

Përveç granteve të paligjshme, Bashkia Rrogozhinë ka fryrë strukturën e saj në shkurt të vitit 2021 duke rritur numrin e të punësuarve nga 90 në 317, duke shtuar rreth 227 punonjës. Sipas të dhënave janë punësime të qytetarëve që nuk janë banorë të Rrogozhinës”, tha Duma duke renditur me pas një listë emrash.

“SPAK është vënë në dijeni të kësaj skeme kriminale që në fillim të muajit prill, por nuk bëri asgjë. SPAK heshti edhe kur Partia Demokratike dorëzoi kallëzimin e pestë në 25 Prill. Kjo strukturë e re e drejtësisë, që ka për detyrë të hetojë e të çojë para drejtësisë ata që manipuluan rezultatin zgjedhor heshti pas çdo kallëzimi të Partisë Demokratike për të njëjtën bandë që blinte vota në të gjithë Bashkinë e Rrogozhinës për të nxjerrë Arben Ahmetajn deputet dhe për të mbajtur në pushtet regjimin Rama-Doshi-Rakipi.

Përveç Arben Ahmetajt në skemën kriminale të blerjes së votës kanë marrë pjesë drejtorët më të rëndësishëm të administratës nga qeveria qendrore dhe bashkia e Rrogozhinës”, tha ajo, duke renditur një listë tjetër emrash.

“Janë dhjetëra përfaqësues të Partisë Socialiste, drejtues të administratës qendrore dhe lokale, njerëz të krimit të organizuar që janë identifikuar nga Partia Demokratike në veprimtarinë kriminale të blerjes së votës dhe pengimit të procesit të votimit. Prej më shumë se 1 muaji, SPAK-ut i janë vënë në dispozicion numrat e tyre të telefonit dhe zona ku veprojnë për ta shpërndarë para për blerjen e votave, por ata u lanë të lirë të deformojnë vullnetin e zgjedhësve”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë