Politike

PD e Bashës: Skema me PPP e Erion Veliajt për ndërtimin e shkollave ka dështuar

Zëdhënësja e PD-së zyrtare, Mirela Karabina ka deklaruar për mediat se skema me PPP e Erion Veliajt për ndërtimin e shkollave ka dështuar.

 “Prej 7 vitesh në faturat tatimore të ujit për abonentët familjare dhe biznesit në Tiranë  është shtuar “taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore”, taksë kjo që u prezantua fillimisht nga Bashkia Tiranë (2015) si zgjidhje e përkohshme për të mbledhur para për të përballuar shpenzimet për mirëmbajtjen e ndërtesave të shkollave ekzistuese dhe ndërtimin e godinave të rejave, me qëllim shmangien e mbingarkesës në shkolla dhe mësimit me turne.

Çdo familje në Tiranë paguan 1,800 lekë në vit, ndërsa bizneset, organizatat jo-fitimprurëse, institucionet, profesionet e lira dhe sektori i transportit e kishim taksimin progresiv nga 4 mijë lekë deri në 37 mijë lekë në vit”, vëren ajo

Karabina thekson se në “fazën e parë” të taksimit të përkohshëm për 7 vitet e kaluara, Bashkia Tiranë mblodhi rreth 4.8 miliardë lekë ose gati 45 milionë euro.

“Megjithëse ajo e shtyu afatin për të mbledhur më shumë para edhe për 3 vite të tjera (2023-2025), rezulton se dështoi të realizonte objektivin për ndërtimin e 17 shkollave, përmes një skeme të “Partneritetit Publik Privat” (PPP) që ishte pjesë e vizionit politik të kryebashkiakut Erion Veliaj për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.

Studimi i fizibilitetit më 2016-ën “Përmirësimi i infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës” parashikonte ndërtimin e 17 shkollave të reja që do të ngriheshin nga koncensionarët, të cilët do të likujdoheshin brenda 7 viteve nga dorëzimi i shkollës dhe do i paguhej shtesë një interes vjetor 6.28 përqind e kostos së ndërtimit.

Kostoja e parashikuar për koncensionin e parë dhe të dytë PPP – për të cilin u lidhën kontratat, është gati 3.7 miliardë lekë ose gati 35 milionë euro. Ndërsa të ardhurat nga taksa në shtatë vitet e kaluara ishin gati 45 milion euro”, sqaron Karabina

Sipas saj, në dy koncensionet e para janë përfunduar vetëm 9 shkolla, nga 17.

 “Bazuar në listën e investimeve të Bashkisë Tiranë rezulton se nëpërmjet skemës PPP janë ndërtuar 9 shkolla, nga 17 që ishin parashikuar, të cilat kanë përfunduar të gjitha në vitin 2022, kur mbaroi edhe afati i parë i taksës së përkohshme.

Pra, skema me PPP e Erion Veliajt për ndërtimin e shkollave ka dështuar!

Pasojat e këtij dështimi janë mësimi me 2 dhe 3 turne në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme”, tha ajo


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë