Seanca pa debat për ndryshimet në Qeveri nisi me përplasje mes socialistëve dhe opozitës. PD u shfaq e unifikuar në kërkesën për diskutime.
I pari që foli ishte kreu i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj.
“Ministrat nuk janë ekip basketbolli, hiq një mbrojtës vendos një sulmues, janë njerëz që marrin topin që është fati i shqiptarëve. Sot ju s’keni asnjë të drejte për t’i bërë shqiptarët të kuptojnë se kush po i qeverisë. Zonjë është e udhës që sot, tani në këtë seancë ju tu ktheni parlamentin deputetëve edhe shqiptarëve. Të dëgjojmë, të diskutojmë dhe të shqyrtojmë aktet e para të Presidentit të Republikës”, tha ai duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
Berisha u tregua më i ashpër. Ai akuzoi për shkelje flagrante të Kushtetutës dhe të rregullores së Kuvendit me qëllim fshehjen e aferave korruptive të Qeverisë. Berisha tha se nëse ndryshimet do të zhvilloheshin me debat do të denonconte aferat korruptive me tenderat.
“Çdo xhaketë që të veshësh e heqësh, asgjë nuk të heq qyrkun e vjedhësit. Ti kërkon t’u mohosh të drejtën e fjalës deputetë, sepse nëse do të flisnin do të faktonin se padrino i arben ahmetaj e ka emrin Tenderbegu Edi Rama. Mos përdorni arbitraritetin. Çështja e inceneratorëve është problem madhor, të mos mendojë se Edi Rama se duke shmangur debatin në Parlament do t’i shpëtojë gjykimit në sheshet dhe rrugës e Shqipërisë”, tha ai.
PS rrëzoi kërkesën fillimisht përmes Taulant Ballës dhe më pas përmes kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
“Asnjëherë në historinë e këtij Kuvendi ndryshimet në Qeveri nuk janë zhvilluar me debat parlamentar, madje as në 2007, kur ju zoti Alibeaj zëvendësonit Rusmajlin në Qeveri. Unë në atë kohë kërkova debat, por kryetarja e Kuvendit me të drejtë nuk e lejoi”, tha Balla.
Në fund, mazhoranca votoi me 76 vota shkarkimin e Ahmetajt dhe emërimin e Majlinda Dhokës si ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore dhe Belinda Ballukun zv.Kryeministre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje