Politike

PD hap fushatën me simpatizantë e makina, Basha: Kam nevojë për ju, më votoni për ndryshimin

Stili amerikan që drejtoi fushatën e presidentit amerikan Joe Biden “drive- in rally” e imponuar nga pandemia, u kthye nga simpatizantët e PD-së në format “alla shqiptarçe” ku shumica e shoferëve të 400 makinave të thirrur nga PD që ndanin kufirin me pjesën tjetër të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” tek kryqëzimi i kryeministrisë, mbushën pjesën ballore të sheshit “Nënë Tereza”.

Masat, në vendin ku PD-ja paraprakisht kishte njoftuar që të mos lejoheshin grumbullime e ku secili prej mbështetësve të mund ta ndiqte aktivitetin brenda në makinë, mbetën thjesht në kuadrin e thirrjeve nga organizatorët: “Ju lutem futuni në makina, ruani distancën dhe vendosni maskat”.

Asnjëra prej tyre nuk piu ujë ndërsa kandidatët po shijonin panoramën para syve, të pozicionuar në të dyja anët e podiumit të improvizuar me tre led ëall-e gjigande nga pas.

Në shesh kishte edhe këmbësorë me flamuj të PD që  orientoheshin nga 10 të rinj të FRPD të pozicionuar në shiritin ndarës nga policia për mbarëvajtjen e dy tubimeve që për shkak të vonesës (me 45 minuta) të daljes së Lulzim Bashës, përkuan në të njëjtin orar.

PD dhe PS nisën fushatën në të dy skajet e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në një orar, por me një diferencë masash.

PS vetëm me kandidatët e saj, pa përkrahës, ndërsa PD e bërë njësh me mbështetës e kandidatë.

Basha shpall veten lajmëtar

“…Edhe 31 ditë. Vetëm 31 ditë për të nisur së bashku rrugën e ndryshimit të Shqipërisë, rrugën e zhvillimit, të punësimit, të mirëqenies dhe të integrimit të saj në familjen tonë europiane”, e filloi fjalën kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Në një fjalim prej 20 minutash, Basha iu drejtua shumëkujt.

“A është kjo ajo që ne meritojmë? A janë varfëria dhe kostoja e jetës që rritet çdo ditë e më shumë ajo që ne meritojmë? A është mungesa e vendeve të punës, papunësia dhe mjerimi ajo që meritojmë? A është largimi nga sytë këmbët i rinisë, i këtij populli të talentuar, ajo që meritojmë? A është ky fati i shkruar për secilin prej nesh? Jo, nuk ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Ky vend meriton më shumë, shqiptarët meritojnë më shumë dhe prandaj ne jemi sot këtu para jush që tua bëjmë të qartë të gjithëve, ne shqiptarët meritojmë më shumë dhe mundemi të bëjmë më shumë dhe do të bëjmë më shumë”.

Ai e orientoi fushatën me një synim, deri edhe  “hyjnor”.

“Sot vij para jush për të shpallur një tjetër synim, një detyrë, një mision që i përgjigjet dëshirës së çdo shqiptari ndaj të cilit dhe ndaj të cilës angazhohem: Kur të më zgjidhni kryeministër detyra e parë madhore, misioni im hyjnor, misioni ynë hyjnor është futja e Shqipërisë në Bashkimin Europian…”

Basha e cilësoi veten si lajmëtar të ndryshimit.

“Unë jam këtu në mesin tuaj si lajmëtarë, si një udhërrëfyes për të marrë rrugën dhe shtegun e duhur. Kam pra nevojë për ju, për ndihmën tuaj, për forcën tuaj ndaj ju kërkoj sot të më bashkoheni në përpjekjet e fundit të këtij rrugëtimi për t’i sjellë ndryshim Shqipërisë…” .

Basha e nënvizoi disa herë nevojën për mbështetje.

“Pa ju, pa ndihmën e mbështetjen tuaj qëllimet tona për ndryshimin e madh që na pret mbeten thjeshtë ide dhe jo një udhëzues drejt një jete më të mirë. Në javët e ardhme le të qëndrojmë bashkë sa më afër, të bisedojmë dit për dit me njeri tjetrin, të bindim këdo që është në kërkim të shpresës se po punoj për një qëllim të lartë, se po punojmë për një qëllim fisnik, po punojmë për të garantuar një ndryshim të thellë, të vërtet e të pakthyeshëm për bijtë e shqipes. E që ky ndryshim të bëhet realitet secili nga ne duhet t’i bashkohet kësaj përpjekje”, tha Basha, i cili në fund përshëndeti me dy gishtat lart duke prezantuar edhe familjen e tij; bashkëshorten Aurelën dhe dy vajzat që u ngjitën në podium në fund të fjalës së tij.  

Mungesa e Berishës dhe Kryemadhit, dhe kush foli

Për herë të parë, në hapjen e fushatës së PD-së, mungoi lideri historik i PD-së, Sali Berisha. Askush nuk komentoi mungesën e tij, ndërsa pak para fillimit të fjalës së Bashës, pati disa thirrje sporadike nga simpatizantët në shesh; “Sali Berisha”, “Sali Berisha” Mungoi gjithashtu edhe aleatja e PD-së në këto zgjedhje, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e cila ndodhej jashtë Tirane për fushatë

Ndërkohë, fushatën e PD-së e hapi shkrimtarja Flutura Açka, kandidate për deputete në listën e PD-së për qarkun e Elbasanit.

Açka renditi arsyet se pse iu bashkua PD-së.

“…29 vjet më parë kur luftonte për fjalën e lirë, për lirinë dhe Shqipërinë Europiane. 29 vjet më pas jam po në atë front. Në fakt 29 vjet më parë kur luftonte për fjalën e lirë , për lirinë dhe Shqipërinë Europiane. 29 Vjet më pas, jam po në atë front. Në fakt, nuk jam thjeshtë një grua që valëvitet mes shkrimit dhe politikës, tek unë luftojnë dy njerëz që luftojnë në një trup. Bashkë me mua lufton edhe im bir, ëndrra e pakryer e të cilit për ta parë Shqipërinë në Europë është pjesë e betejës time. Ndaj, kundërshtarit tim politik do t’i duhet të përballet me dy qenie të drejta, luftarake dhe pa kompromis, në detyrën e shenjtë të ndreqjes së demokracisë shqiptare…”, tha ajo.

Më tej aktori Neritan Licaj. “…Mos pranoni më të gjunjëzoheni por filloni të fluturoni dhe të ndiheni shqiptarë, të ndiheni bijtë e shqipes dhe të jepni edhe shpirtin edhe zemrën për këtë vend. Tik tak, tik tak, tik tak, tik tak, tik tak, tik tak, tik tak, tik tak. Vetëm një thirrje, Rama ik, Rama ik, Rama ik, Rama ik. Shqiptarë, jeni të mrekullueshëm”.

Futbollisti Andi Lila dhe zëdhënësja e fushatës, Floriana Garo bënë gjithashtu thirrje për të votuar PD-në.

“Pasi disa herë e takova Lulzim Bashën, e kisha të qartë se ai është udhëheqësi që i duhet Shqipërisë.

 I vendosur, karizmatik, me përvojë. Dhe në të njëjtën kohë edhe një njeri i dashur dhe i afërt me njerëzit.

 Një person që ju flet njerëzve në sy, me të njëjtën gjuhë.

Një person i cili është i përkushtuar ndaj Shqipërisë tonë të bukur dhe është i gatshёm pёr tё sjellё ndryshimin që mezi e presim te gjithë…”, tha Garo, duke ftuar më pas Bashën si “kryeministrin e ardhshëm të vendit”.

Hapja e fushatës së PD-së zgjati një orë, ndërsa gjysma e Bulevardit ”Dëshmorët e Kombit” mbeti e bllokuar nga makinat e PD-së për më shumë se tre orë.

Paraprakisht PD-ja kishte marrë leje ne Policinë e Shtetit për të lejuar 472 makina në ndjekjen e hapjes së fushatës.   


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë