Kur kanë mbetur edhe katër ditë deri në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, Partia Demokratike ngre pyetje për dosjen e saj ku sipas saj paraqiten të gjitha shkeljet që ajo ka bërë.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata, në një dalje për mediat bëri publike shkeljet që janë vërejtur në deklarimin e pasurisë së zonjës Prela, duke filluar nga apartamenti që ajo ka blerë së fundmi prej administratorit të një firme që po hetohet pikërisht nga institucioni i drejtuar prej saj e deri te padia e ngritur nga bashkëshorti i saj ndaj kompanisë ku ka punuar për mospagim taksash e sigurimesh.
“Më i rëndësishëm është procesi gjyqësor që bashkëshorti i zonjës Prela ka hapur me kompaninë ku ka punuar për mospagim taksash.
Megjithëse për vite me radhë ka përfituar të ardhura dhe nuk ka paguar taksa, kujtohet tani pikërisht pasi është futur në procesin e rivlerësimit zonja Prela. Këtë padi e ka hapur pas 7 vitesh.
Kodi civil nuk ta jep këtë mundësi që të hapësh një padi të tillë për shpërblim dëmi për mospagim taksash, sigurimesh pas 7 vitesh sepse është parashkruar”, shprehet Gjata.
Gjata shprehet se KPK nuk po i merr parasysh këto shkelje, ndërsa ka kujtuar apartamentin që Prela ka blerë me një çmim shumë më të ulët se çmimet e tregut si dhe administratori i këtij apartamenti është në hetim nga Prokuroria që ajo heton.
“Prokurorja e Krimeve të Rënda ka marrë një apartament, është në një marrëdhënie kontraktore me një kompani, administratori i të cilës është nën hetim nga prokuroria që ajo drejton.
Çmimi është shumë më i lirë se ai i tregut, 300-500 euro më i lirë se çmimi i tregut për metër katrorë dhe kjo del nga vetë thirrja që kjo kompani ka bërë për shitjen e apartamenteve të pallatit të ndërtuar nga kjo ku të gjitha çmimet shkojnë minimumi nga 250-500 euro më shtrenjtë për metër katrorë se ç’e ka blerë apartamentin zonja Prela. Pse ky diferencim, kjo ulje çmimi për këtë prokurore e ndodhur në këto kushte?”, vijon më tej Gjata.
Gjata në emër të PD ka kërkuar që institucioni i vettingut të mbajë të njëjtin standard si për të gjitha rastet dhe jo standard të dyfishtë.
“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa institucioni i vettingut të mbajë të njëjtin standard për raste të ngjashme. Ndryshe, këtu ka ndërhyrje politike”, përfundoi Gjata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje