Politike

PD: Kryebashkiakja e Roskovecit në shërbim të trafikut të drogës, Rama e mbron

Partia Demokratike akuzon se kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi është vënë në shërbim të trafikantëve të drogës.

Akuzat e opozitës morën shkas nga rasti i arrestimit të shoferit të kryebashkiakes duke transportuar rreth 80 kilogramë hashash. Ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj thotë se Majlinda Bufi gëzon mbështetjen e Edi Ramës.

“Nën drejtimin e Edi Ramës, drogën mund ta bësh me makinën e Ministrit të Brendshëm, por mund ta bësh edhe me makinën e kryetarit të Bashkisë. Mjafton të kesh garancitë e Edi Ramës se nuk do të shkarkohesh dhe droga derdhet lumë me makinat e shtetit”, deklaroi Alibeaj.

Alibeaj ka një kërkesë për kryebashkiaken e Roskovecit.

“Kryebashkiakja ilegjitime e Bashkisë së Roskovecit akoma nuk e ka dënuar aktin e trafikut të drogës me makinën e saj nga nipi i saj. Kryebashkiakja ilegjitime e Edi Ramës nuk mohon dot atë që ka dalë në pazarin e Roskovecit me kohë. Ajo përdoret dhe u shërben disa trafikantëve të drogës, njësoj si shefi i saj në Tiranë dhe si shumë homologë në bashki të tjera të vendit”, deklaroi ai.

Për policinë, Alibeaj bëri një kërkesë tjetër.

“A e ka marrë në pyetje kryebashkiaken për trafikun e drogës nga nipi i saj me makinën e saj? Ajo që dimë deri tani, është se policia as që e ka bërë publik faktin, siç nxiton për raste të tjera, kur pushteti i Edi Ramës nuk implikohet drejtpërsëdrejti”, u shpreh ai.

Nga Kryeministri kërkesa e vetme është shkarkimi i Bufit.

“Pyetja është më shumë retorike. Edi Rama nuk ka shkarkuar asnjë kryebashkiak që është verifikuar me të shkuar kriminale. Ai thjesht ka heshtur që koha të mbulojë llumin me të cilin drejton vendin”, tha ish-deputeti i PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë