Enkelejd Alibeaj tha të shtunën përmes një deklarate për shtyp se përmes një vendimi anti-ligjior, qeveria ka lejuar hapjen e kazinove në një zonë në qendër të Tiranës ku, së fundi, janë dhënë disa leje ndërtimi për kulla dhe ku ndodhet aktualisht një kazino, që sipas tij, i ka mbaruar liçensa.
“Edhe pse ligji e ndalon shprehimisht hapjen e kazinove në zonat që nuk janë shpallur si me rëndësi kombëtare për turizmin, Edi Rama ka vendosur që ta injorojë këtë gjë.
Rikthimi tek projekti kriminal i kazinove dhe bixhozit është një nga tradhtitë më të mëdha që Edi Rama u ka bërë qytetarëve për llogari të krimit të organizuar.
Pasi flaku në rrugë mbi 10 mijë persona të punësuar në bizneset e lojrave të fatit, Edi Rama ka vendosur t’i përqendrojë ato në pak duar”, tha Alibeaj.
Sipas tij, ka një arsye për kthesën e fortë.
“Takimet e javëve të fundit me eksponentë të krimit të organizuar janë një indicie e mjaftueshme që SPAK të zbulojë dhe hetojë një nga skemat më të zeza të Edi Ramës me botën e krimit.
Vetë Edi Rama, i cili deklaroi dy vjet më parë se deputetët e tij ishin kërcënuar nga burgu 313 për të mos ndaluar lojrat e fatit, duhet t’u përgjigjet pyetjeve pa u fshehur pas heshtjes fajtore.
1.Për llogari të cilëve të burgosur tek 313-ta po mbush qendrën e Tiranës dhe ish bllokun me kazino?
2.A përfitojnë nga ky vendim i marrë në fshehtësi ndonjë nga personat që ka takuar 2 netë më pare apo gjatë javëve të fundit?
3.A është lejimi i kazinove pjesë e pazarit të mbyllur me shokët e përgjimeve të Vangjush Dakos?
Sa më shumë të heshtë Edi Rama për këto pyetje, aq më i kapur është nga krimi.
Në Shqipëri ka ardhur koha të mos ketë vend për një kryeministër ortak dhe peng të krimit. Vendi i vetëm i këtyre politikanëve bashkëpunëtorë të krimit kundër interesave të qytetarëve është para drejtësisë dhe prapa hekurave!”, tha Alibeaj
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje