Politike

PD mbledh kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, testi i parë i Bashës për të drejtuar edhe katër vjet

Partia Demokratike do të mbledhë të dielën pasdite kryesinë dhe Këshillin Kombëtar.

Në të dyja organet vendimmarrëse axhenda është e paracaktuar, nga vete Basha, me rend dite:  “Diskutime dhe vendimmarrje sipas statutit për proceset pas situatës së krijuar me masakrën e elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit”.

Mbledhja e kryesisë dhe e Këshillit Kombëtar është vetëm hapi i parë për të paracaktuar qëndrimin që do të mbajë Basha në raport me mandatin e tij ku prej kohësh po flitet që ai do të afroje rizgjedhjen e tij përmes parimit “një anëtar një votë” për në muajin qershor.

Zyrtarisht atij i mbaron mandati me 22 korrik.  

Një tjetër propozim që po diskutohet është edhe kalimi në votim i kryesisë aktuale nga Këshilli Kombëtar.

Në bazë të statutit, Këshilli Kombëtar aktual, me propozim të Kryesisë por edhe Kryetarit Basha mund të zgjedhë ose shkarkojë, me votim të fshehtë: Kryetarin e Këshillit Kombëtar; Sekretarin e Përgjithshëm; Nënkryetarët e Partisë; Anëtarët e zgjedhur të Kryesisë së PDSH-së; Sekretarët funksionalë; Komisionin e Apelimit; Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë.

Përballë disa përpjekjeve për të bërë disa arnime në struktura, sa kohe që e lëjon edhe statuti, kemi një tjetër zhvillim, ajo e një grupi anëtarësh të Këshillit Kombëtar me në krye kryetarin e këtij organi, Bujar Nishani i cili ka kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe reformim të partisë.

Një qëndrim i tillë pritet të përcillet edhe të dielën gjatë mbledhjes së Këshillit ku ndryshe nga herët e tjera nuk do të jenë online por në zyrat e selisë së PD.

Ecuria e kësaj mbledhje pritet të jetë një test për Bashën nëse zërat kundra tij janë në minorancë apo po gjejnë mbështetje zyrtarisht edhe në struktura ku një pjesë e tyre përfaqësohen në Këshill Kombëtar


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë