Politike

PD: Në cilat pika mbështesim biznesin fason

Përfaqësues të Partisë Demokratike u takuan me shoqatën e biznesit fason në Krujë, ku është vendosur numri më i madh i fasonerive në vend por dhe përhapja e virusit është më e madhe. 

Përfaqësuesit e PD-së, Albana Vokshi, Orjola Pampuri, Çlirim Gjata dhe Gent Strazimiri biseduan me biznesin fason pas kërkesës së këtyre të fundit.

“Në takim u mësua se asnjë përfaqësues i qeverisë apo deputet i zonës nuk ka pranuar të takohet me shoqatën e fasonëve të Krujës, megjithëse situata aty po rëndohet çdo ditë nga përhapja me shpejtësi e virusit”, – thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.

Përfaqësuesit e fasonëve shprehën gatishmërinë për të mbyllur aktivitetin e tyre deri në një moment të dytë, por kërkojnë që qeveria të paguajë punonjësit.

“Një nga problemet kyç që ata ngritën ishte heshtja e qeverisë për këtë situatë. Ata treguan se i kanë dërguar 4 herë kërkesa qeverisë që prej 23 marsit, por askush nuk u ka kthyer përgjigje. Ndryshimi kaotik i kushteve që duhet të plotësojnë dhe gjobat janë i vetmi reagim i qeverisë për këto fasoneri, që punësojnë mbi 5 mijë gra dhe vajza nga Kruja dhe zonat përreth”, – thuhet në njoftimin e PD-së. Por, në ç’drejtim do t’i mbështesë PD-ja fasonët?

“Përfaqësuesit e Partisë Demokratike siguruan fasonët se kanë mbështetjen e opozitës për çdo kërkesë që vë të parin shëndetin e punonjësve dhe pagesën e tyre, duke theksuar se ky është një detyrim ligjor i qeverisë”, thuhet në njoftimin e PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë