Politike

PD nuk do bojkotojë seancën maratonë: “Oponencë të ashpër programit të qeverisë”

Partia Demokratike ka mbledhur mbrëmjen e sotme Grupin Parlamentar ku mbledhja ka zgjatur përreth një orë dhe temë kryesore e diskutimit ka qenë seanca plenare e të enjtes ku do të debatohet dhe miratohet qeveria e re dhe programi qeverisës i kabinetit “Rama3”.

Seanca do të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë e ndarë në tri faza, ku në fazën e parë do të bëhet prezantimi i programit qeverisës të qeverisë “Rama 3”, në fazën e dytë, e cila është parashikuar të nisë në orën 13:00, do të ketë pyetje nga deputetët dhe diskutime e debate, ndërsa faza e fundit, e parashikuar në orën 14:00, përfshin votimin e qeverisë dhe programit “Rama 3”. Secili deputetet do të ketë të drejtë të flasë për 10 minuta.

Partia Socialiste ka kërkuar që debati të zgjasë 6 orë dhe më pas të votohet programi dhe kabineti i ri qeveritar, por strategjia e deputetëve të opozitës është ajo e zgjatjes së saj sa më shumë, ndoshta për të vënë në dyshim planin e shumicës për votëbesim dhe betim te Presidenti i Republikës përpara nisjes së Edi Ramës për në Nju Jork në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

PD do ta përqendrojë diskutimin te tri çështje kryesore, pandemia e Covid-19, tërmeti dhe kriminaliteti në vend, duke premtuar një debat të ashpër qoftë mbi programin qoftë mbi emrat e qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë