Partia Demokratike kundërshtoi reagimin e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, sipas së cilës, në institucionin që ajo drejton nuk kishte rënë zjarr sicc pretendoi një ditë më parë kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
“Arsyet dhe përgjegjësit duhet t’i zbulojë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, që vazhdon të flerë mbi hirin e korrupsionit. Detyra jonë është të bëjmë publike provat;
Se në Ministrinë e Shëndetësisë ka rënë zjarr. Se zjarri ka rënë në katin e Zyrës së Prokurimeve, ku ndodhen kontratat sekrete të tenderave korruptivë të denoncuar prej nesh që në datën 6 prill dhe se janë djegur dokumenta, që më pas, janë shuar me ujë…”, tha Bardh Spahia nga selia e PD-së.

Bardhi publikoi një email për të vërtetuar qëndrimin e demokratëve. “…Aq shumë dokumente janë djegur në Ministrinë e Shëndetësisë brenda një dite, sa është aktivizuar sinjali antizjarr. E vërteta është kjo. Në datën 15 Prill, në orën 18:00, në Ministrinë e Shëndetësisë janë djegur dokumente. Pas rënies së alarmit për zjarr, rojet e godinës kanë konstatuar djegien e dokumenteve në katin e katërt të godinës. Siç e shikoni, kjo nuk është fantazi e jona. Është një email zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, që provon rënien e zjarrit dhe djegien e dokumentave në katin e Zyrës së Prokurimeve, pikërisht atë që mohoi dje paturpësisht Ministrja e Vjedhjeve COVID, Ogerta Manastirliu. Hajdutëria me tenderat sekret është aq e madhe, saqë nga një krim korrupsioni, qeveria e Edi Ramës po kryen edhe një tjetër vepër penale, siç është asgjësimi dhe fallsifikimi i dokumenteve shtetërorë për të zhdukur provat e megavjedhjes me mjetet mbrojtëse për mjekët, me maskat antiCOVID, me kitet e testimit, me pajisjet shëndetësore të respiratorëve…”, tha Bardhi.
“Në email thuhet shprehimisht: ‘Pas kontrolleve rezultoi se u gjetën letra të djegura dhe të shuara me ujë në katin e katërt të ndërtesës, tymi i të cilave aktivizoi sinjalin e alarmit. Fakti që Ogerta Manastirliu u investua personalisht dje për të mohuar zjarrin dhe djegien e dokumentave, duke sulmuar kreun e opozitës me akuzat shabllon të dala boje, provon se ajo është e përfshirë direkt në vjedhje…”, vijoi ai. Sipas tij, “është blerja me dy deri në katër fish e mjeteve mbrojtëse për mjekët, e kiteve të testimit apo respiratorëve, që ka detyruar Ministren të urdhërojë djegien e dokumenteve dhe fshehjen e ngjarjes”.
“Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK, të përfshijë në hetimin e kësaj çështje edhe djegien e dokumenteve më 15 Prill, siç e tregon ky email zyrtar, si dhe fshehjen e të vërtetës nga Ministrja e Shëndetësisë, duke mohuar publikisht rënien e zjarrit”, – tha ai.
Reagon Ministria e Shëndetësisë
“Në përgjigje të akuzave të Partisë Demokratike, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron se nuk ka rënë zjarr në institucion. ‘Zbulimi’ i bërë sot nga PD i referohet një emaili ‘tërheqje vëmendje’ të para 26 ditëve, nga përgjegjësja për sigurinë në ministri, e cila i është drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse, ndaj të cilës më pas është marrë masë administrative.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hedh poshtë aludimet dhe shpifjet e PD, që kërkon të manipulojë opinionin me histori djegie letrash në korridore, kur e di i madh e i vogël se çdo dokument zyrtar ruhet në Protokollin e Ministrisë dhe të çdo institucioni. Duke bërë publik këtë email, i cili dërgohet rëndom nëpër institucione për t’u tërhequr vëmendjen punonjësve, PD ka demonstruar edhe një herë se protokollet e sigurisë dhe masat disiplinore në MSHMS, funksionojnë më së miri”, thuhet ne deklarate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje