Partia Demokratike akuzon ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Kryeministrin Edi Rama se emëruan në postin e zv.drejtorit të Policisë së Shtetit një ish-bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit.
“Zëvendës drejtori sapo emëruar nga Edi Rama në krye të Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj rezulton të jetë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në periudhën e diktaturës. Numri dy i Policisë ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit për 10 vite. Sipas të dhënave, Albert Dervishaj, është rekrutuar nga Sigurimi në datën 24.08.1981 me numër regjistri 7559. Punëtori operativ që e ka tërhequr në bashkëpunim ka qenë Ali Anadolli dhe është mbajtur në bashkëpunim nga punonjësi operativ Qirjako Prifti”, deklaroi ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj tha se këto të dhënat ndodhen tek regjistrat, kartelat dhe procesverbalet e ish-sigurimit të shtetit.
PD thotë se rasti i Dervishajt, është i dyti brenda pak ditësh që zbulohet si ish-sigurims dhe që militon në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit.
“Disa ditë më parë, organet e vettingut në polici, mbyllën sytë, shkelën ligjin dhe manipuluan faktet, sipas të cilave zevëndësdrejtori aktual i Policisë së Shtetit Gjovalin Loka, rezultoi zyrtarisht i dokumentuar si anëtar aktiv i Sigurimit të Shtetit dhe në shkelje flagrante të ligjit u konfirmua në detyrë”, shtoi Alibeaj.
Sipas përfaqësuesit demokrat, ata e kaluan procesin e vettingut në radhët e policisë në kundërshtim me ligjin.
“Ligji i vetingut, qartazi e parashikon se anëtarësia në radhët e Sigurimit të Shtetit është kusht i mjaftueshëm që subjekti duhet të largohet nga radhët e Policisë së Shtetit. Është tronditës fakti se si njerëz të cilët kanë shërbyer Sigurimit të Shtetit katapultohen nga Edi Rama dhe Sandër Lleshaj në krye të Policisë së Shtetit, duke sfiduar hapur ligjin”, shtoi Alibeaj.
Opozita thotë se me këto emërime, Policia e Shtetit është shndërruar në një organizatë e drejtuar nga bashkëpunëtorët dhe agjentët e ish-Sigurimit të Shtetit, që sot janë vënë në shërbim të Edi Ramës dhe lidhjeve të tij kriminale.
PD kërkon shkarkimin e Albert Dervishajt dhe premton se me ardhjen në pushtet do të rikthejë në binarët e ligjshmërisë shërbimin e sigurisë së jetës së qytetarëve shqiptarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje