Politike

PD prezanton tre nismat, por ngec me PS sërish te procedura, s’ka konsensus për vettingun

Deputetët e PD-së zyrtarizuan tre nismat për ndryshimet kushtetuese në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe atë të Ligjeve, edhe pse PS-ja këmbënguli sërish se nisma e PD-së me propozimin për zgjatjen e mandatit të KPK nuk mund të bashkohen.

Në anën tjetër Alfred Rushaj tha se nismat mund të ecin paralelisht ndërsa u ndal gjatë tek tre nismat e PD-së me fokus kryesor vettingun e politikanëve. Mbledhja u mbyll serish pa konsensus sa kohe që debati ka mbetur pikërisht në këtë pikë.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla hodhi në votim propozimin e demokratëve për datën dhe orën se kur do të kryhen seancat, por Bardhi tha se duhet të jetë opozita ajo që vendos se kur do të zhvillohen këto seanca.

“Keni vendosur që të hidhni në erë dialogun, seanca dëgjimore do i bëjmë kur të duam ne, si mund t’iu nënshtrosh votën se kur do të bëhen seancat dëgjimore, nëse na doni në tryezë do duhet të bini dakord me ne”, tha Bardhi, duke braktisur më pas mbledhjen.

Më herët, gjatë prezantimit të nismave, deputeti i PD-së, Alfred Rushaj tha se ka ardhur koha që politikanët të trajtohen nga ligji njësoj si gjyqtarët, prokurorët dhe policët.

“Dekriminalizimi i plotë dhe zbatimi i të njëjtave norma të vetting-ut për vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar, dhe ligjshmërinë e pasurisë, duhet të zbatohet edhe ndaj zyrtarëve të lartë publikë, ku përfshihen deputetët, Kryeministri, ministrat, kryebashkiakët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Kjo garanton parimin e barazisë përpara ligjit, dhe përbën një premisë për një qeverisje të pandikuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, duke pastruar nga radhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, individë të lidhur me krimin e organizuar dhe të korruptuar,“ tha Rushaj.

Ai sqaroi se në draftin për vettingun janë përfshirë të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Rushaj specifikoi se vettingu i politikanëve është parashikuar të  kryhet nga SPAK.

Ndryshimi tjetër i propozuar nga PD është zhbërja e ndryshimeve të njëanshme kushtetuese të 30 Korrikut 2020 për zgjedhjet.

Për realizimin e këtij qëllimi, Rushaj tha se PD pret miratimin e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

Reforma territoriale është nisma e tretë e propozuar nga PD-ja.

“Për shkak të bashkimit të Bashkive dhe Komunave në një bashki të vetme, banorët kryesisht të zonave rurale janë braktisur dhe nuk marrin asnjë shërbim, duke sjell pasoja në jetën e tyre për shkak të mungesës së shërbimeve. Edhe pse banorët e zonave rurale paguajnë të njëjtat taksa dhe tarifa vendore, është evidente që ato nuk arrijnë të marrin asnjë shërbim në shumicën dërrmuese të zonave rurale…”, veçoi Rushaj.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, parimisht ra dakord me Partinë Demokratike për ndryshimet kushtetuese të kërkuara, por theksoi se me rëndësi është të mendohet mënyra si do të kryhen këto procese. Ai propozoi që për të bërë ndërhyrjet në Kushtetutë, të përfshihen edhe konstitucionalistë ndërkombëtarë.

“… Duhet të kemi kujdes që kur fusim duart te ligji themeltar se mund të ketë pasoja afatgjata, se ndodh si me reformën në drejtësi. Në ndërhyrjet në kushtetutë duhet të përfshijmë konstitucionalistë ndërkombëtarë, të krijojmë një asamble kushtetuese që të miratojë ndryshimet kushtetuese një herë e mirë”, tha Mediu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë