Politike

PD publikon listën: Ish-sigurimsat që drejtojnë policinë

Partia Demokratike ka bërë publike një listë me disa emra drejtuesish të lartë në Policinë e Shtetit, që sipas saj provojnë që sot ky institucion është në duart e ish-sigurimit të shtetit, që e ka bënë atë në shërbim të fuqizimit të krimit të organizuar.

“Përfshirja në polici e oficerëve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit enverist me mision shtypjen e lirisë dhe drejtave të njeriut është një akt antikushtetues dhe antiligjor. Sigurimsat që i shërbejnë pushtetit të Edi Ramës emërohen në kupolën e Policisë së Shtetit. Ligji i vettingut në polici shkelet plotësisht për të mbrojtur këta sigurimsa, siç është rasti i zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gjovalin Loka dhe siç janë përgatitur të bëjnë me disa të tjerë”, deklaroi ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu.

Në listën e publikuar nga PD ka emra si Artan Shkëmbi, drejtues i policisë kriminale që e kaloi vettingun, zv.Drejtori për Rendin dhe Sigurinë, Gani Zeneli, apo Xhavit Shala, i denoncuar si ish-sigurims edhe nga ish-kreu i Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit, Agron Tufa.

“Lista është shumë më e gjatë, por këta janë të gjithë këta janë në poste kyçe në Policinë e Shtetit që kanë mbaruar Shkollën e Sigurimit, ku mësohej zbulimi, hetimi, përndjekja dhe tortura, ndaj kundërshtarëve të regjimit diktatorial komunist. Janë bashkëpunëtorë dhe oficerë të Sigurimit të Shtetit, arma kryesore e diktaturës kundër lirisë”, deklaroi Balliu.

Ish-deputeti i PD-së thotë se policia është shndërruar në një dorë të zgjatur të Partisë Socialiste, që e ka bënë atë në shërbim të fuqizimit të krimit të organizuar, me të cilin akuzon se bashkëqeveris.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë