Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka se në vend të transparencës dhe llogarisë për tenderin e furnizimit me ushqim të rezervave të shtetit kanë zgjedhur që të sulmojnë me gjuhën e urrejtjes opozitën.
“Edi Rama refuzon të japë llogari për tenderin e paracaktuar të ushqimeve. Prej 4 ditësh prej kryeministrit dhe ministres së tij të Mbrojtjes pritet një shpjegim pse për këtë tender zgjodhi një kompani kompjuterash pa asnjë ditë eksperiencë me ushqimet. Edi Rama duhet të bëjë transparencë dhe të japë përgjigje pyetjeve për tenderin 1.5 milionë eurove të ushqimeve. Sulmet ndaj opozitës dhe gjuha e urrejtjes nuk mbushin barkun me bukë të shqiptarëve, nuk ngrohin shtëpitë e tyre, nuk çojnë para në xhepat bosh të shqiptarëve”, deklaroi në një dalje publike ish-deputeti, Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj ngre tre pyetje për Kryeministrin Rama dhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
“Pse zgjodhën për t’i dhënë miliona një kompanie kompjuterash nga Maqedonia dhe pse përjashtuan 35 mijë kompani shqiptare, që plotësojnë kriteret e tenderit për ushqimin? Nga e dinte Olta Xhaçka që kompania e kompjuterave nga Maqedonia ishtë kthyer papritur dhe në tregtuese ushqimesh vetëm 6 ditë para shpalljes së tenderit? Edi Rama duhet t’u thotë shqiptarëve që e kanë bosh frigoriferin dhe dollapin e bukës pse duhet të priste 3 javë për të bërë tenderin me negocim për ushqimet e rezervave të shtetit?”, tha ai.
PD ka denoncuar në SPAK tenderin për furnizimin me ushqime të rezervave shtetërore, me vlerë rreth 1.5 mln euro. Tenderi është fituar nga kompania maqedonase, “Eurovia Shpk”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje