Politike

PD: Rama, lojë me opozitën parlamentare! Kontrollon 89 deputetë

Partia Demokratike është e bindur se rezistenca e opozitës parlamentare për të votuar marrëveshjene dakordësuar në Këshillin Politik për ndryshimet në Kodin Zgjedhor është e orkestruar dhe drejtuar nga Edi Rama.

“Edi Rama kontrollon 89 deputetë, 89 votat e nevojshme për të miratuar Reformën Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë. Ai ka marrë përsipër me firmën e Damian Gjiknurit që produkti i Këshillit Politik të miratohet në Kuvend pa asnjë ndryshim. Nëse është bërë pishman për atë që ka firmosur, është më e ndershme ta thotë se sa të bëjë teatër me disa deputetë që janë në Kuvend”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi.

Bardhi e cilësoi gjithashtu edhe kërkesën për depolitizimin e administratës zgjedhore si skenar të Edi Ramës për të kapur procesin.

“Shqetësimet reale janë rekomandimet prioritare të ODHIR, së pari shitblerja e votës për të cilën qeveria nuk ofron asnjë zgjidhje, presioni ndaj administratës publike, kërcënimi i punonjësve të administratës publike që, nëse nuk voton hapur partinë në pushtet largohen nga puna, përfshirja e krimit të organizuar në proceset zgjedhore. Këto janë problemet reale të zgjedhjeve që sjellin deformim të rezultatit dhe këto janë rekomandime prioritare të ODHIR. Edi Rama nuk ka vullnet për t’i zgjidhur, ndaj u kap pas një rekomandimi të 2017-ës. Depolitizimi i administratës zgjedhore është kërkesë e ODHIR në 2017-ën që është hequr në 2019-ën, pasi ODHIR konstatoi politizim të administratës shtetërore”, u shpreh më tej ish-deputeti i PD-së.

Në lidhje me sistemin zgjedhor, Bardhi thotë për këtë çështje duhet të vendosin qytetarët me referendum.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë