Partia Demokratike vijon sërish me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. Nëpërmjet një deklarate për mediat, deputetja e PD-së, Oriola Pampuri u shpreh se kryeministri dhe bashkëshortja e tij nuk justifikojnë vilën në Surrel me vlerë prej 400 milionë lekësh.
Sipas deputetes demokrate, në vitin 2011, përpara nisjes së ndërtimit të shtëpisë, Edi Rama dhe bashkëshortja kanë deklaruar të dy bashkë se zotërojnë rreth 80 milionë lekë, ndërsa në vitin 2012 ndërtuan shtëpinë e tij në Surrel.
“Partia Demokratike po publikon sot dokumentet zyrtare që provojnë se të ardhurat e deklaruara të Edi Ramës dhe të ardhurat e gruas së tij nuk kalojnë vlerën e 100 milionë lekëve dhe nuk justifikojnë dot vlerën 400 milion lekë të shtëpisë në Surrel. Në vitin 2011, përpara nisjes së ndërtimit të shtëpisë, Edi dhe Linda Rama kanë deklaruar se, të dy bashkë, zotërojnë rreth 80 milionë lekë.
Në vitin 2012, Edi Rama ndërton shtëpinë e tij në Surrel dhe kur mori detyrën e kryeministrit një vit më vonë, deklaron se ka shpenzuar plot 400 milion lekë për ndërtimin e saj, pra plot 5 herë më shumë sesa kursimet që kishte gjendje çifti Rama”, shprehet deputetja demokrate.
Në fund, Pampuri u shpreh se kryeministri nuk mund të fshihet më pas fustanit të gruas, duhet të japë llogari për 400 milionë lekët.
“Për kryeministrin e Shqipërisë ka sot vetëm një pyetje: Ku i gjeti Edi Rama 400 milionë lekë për ndërtimin e shtëpisë superluksoze në Surrel, kur bashkë me gruan kishte deklaruar vetëm 80 milionë lekë kursime? Ka ardhur koha që Edi Rama i oxhakut 18 mijë euro të përgjigjet dhe të mos fshihet më pas fustanit të gruas”, shprehet Pampuri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje