Politike

PD: Rama nuk prek milionat e oligarkëve, heq investimet për shkollat dhe spitalet

Partia Demokratike vijon me akuzat ndaj qeverisë Rama lidhur me menaxhimin e parave publike.

Drejtori i kabinetit të Partisë Demokratike, Dorian Teliti në një dalje për mediat tha se paratë e buxhetit të shtetit të planifikuara për koncesionet dhe oligarkët janë të paprekshme.

“Asgjë nuk ka ndryshuar nga sjellja e këtij kryeministri dhe e kësaj qeverie në raport me menaxhimin e parave publike.

Paratë e buxhetit të shtetit të planifikuara për koncesionet dhe oligarkët janë të paprekshme, askush nuk guxon t’i shkurtojë ato.

Janë plot  150 milionë dollarë që janë parashikuar për PPP-të e miqve të qeverisë që nuk preken nga buxheti, pavarësisht situatës së emergjencës dhe nevojës për rimëkëmbje pas dëmeve të tërmetit, ku me mijëra qytetarë vazhdojnë të enden nëpër çadra dhe të pashpresë”, u shpreh Teliti.

Teliti tha se këto para nuk shkojnë për shkollat dhe spitalet për rikuperimin e dëmeve pas tërmetit.

“Edhe pas tërmetit, në planifikimin e ri buxhetor të kësaj qeverie, të vetmit që janë të paprekshëm, janë oligarkët e Ramës, ndërkohë që këtë vit është parashikuar të kryhen të paktën 30 milion dollarë shkurtime në sektorët kyç si shëndetësi, arsim apo edhe infrastrukturë, para’ këto që duheshin shfrytëzuar së paku për të rikuperuar dëmet e shkaktuara në shkolla e spitale në zonat e prekura nga tërmeti”, u shpreh ai.

Ai ndër të tjera tha se “Edi Rama dhe qeveria e tij kanë prioritet vetëm oligarkët e tyre, janë të kapur nga këto interesa të ngushta dhe asgjë tjetër nuk u intereson përveç faktit që ata të vazhdojnë të majmen e të mbeten të paprekur”.

Për të dalë nga kjo gjendje, Teliti se me anë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, vëmendja do të kthehet te qytetarët.

“Me zgjedhje të parakohshme, të lira e të ndershme, do t’i japim Shqiperisë qeverinë e përgjegjshme që meriton, ku e gjithë vëmendja do të rikthehet tek qytetarët, me politika lehtësuese fiskale dhe mbështetje buxhetore ndaj sektorëve prioritarë, me qëllimin e vetëm, rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies së shqiptarëve”, përfundoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë