Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se po synon kontrollin e plotë të mediave përmes kapjes së Autoritetit të Medias Audiovizive.
“Parlamenti njëpartiak, me mandat të përfunduar, e që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë, përmes Komisionit të Medias, në mungesë të opozitës reale, ka shkelur në mënyrë flagrante nenet që përcaktojnë procedurën dhe zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive. Në garën për kreun e AMAs, me pseudokandidatë nënpunës shtetërore pa asnjë eksperiencë në fushën e medias apo fushat që përcakton ligji, në shkelje të afatëve ligjore, Edi Rama ka paracaktuar zëdhënësen e tij dhe te PS për këtë post. Edi Rama, urdhëroi kandidatët e listës së PS në zgjedhjet e fundit, në Komisionin Parlamentar të Medias, të votonin për Armela Krasniqin duke shkelur hapur ligjin dhe specifikisht nenin 7 dhe 8 që përcaktojnë papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesave”, deklaroi deputetja e zgjedhur e PD, Albana Vokshi.
Vokshi thotë se e gjithë procedura antiligjore dhe e nxitur po bëhet për të kapur vendet që i takojnë realisht opozitës në bordin e AMA-s.
“Ky akt godet në zemër lirinë e medias, duke e kthyer këtë institucion në zgjatimin e partisë shtet, ndërsa rolin e drejtuesit të tij e njëson me atë të zëdhënësit të regjimit Rama-Doshi. Me këtë akt antidemokratik kundër lirisë së medias, regjimi Edi Rama kërkon ta përdorë AMA si gjykatën e gazetarëve, organin e censurës, që do kontrollojë jo vetēm platformat televizive, por edhe portalet e mediave on line”, vijoi Vokshi.
PD kërkoi nga mediat që të reagojnë dhe të kundërshtojnë këtë vendim, ndërsa e quan si paradhomë për të miratuar paketën antishpifje.
“Kapja e AMAs paralajmeron kalimin dhe miratimin në parlament edhe të paketës së censurës së medias onlinë për mbylljen e portaleve online. Pa media nuk ka demokraci! të mos heshtim para se të jetë vonë! Partia Demokratike kërkon që të ndalet menjëherë ky akt antiligjor e antidemokratik i një parlamenti monopartiak”, mbylli deklaratën e saj Albana Vokshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje