Partia Demokratike deklaron se nuk është në tagrin e Kolegjit Zgjedhor për të vlerësuar kushtetutshmërinë e dekretit të Ilir Metës që anulon 30 qershorin si datë zgjedhjes dhe akuzon Kryeministrin Edi Rama se gjatë një deklarate të fundit e paracaktoi vendimin e këtij Kolegji.
“Edi Rama ka vetëm një rrugë për të shpallur të pavlefshëm Dekretin e Presidentit: ankimimin e tij në Gjykatën Kushtetutese të Republikës së Shqipërisë. Edi Rama gënjeu publikisht, kur pohoi për Radio Europa e Lirë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kur aktet e Presidentit të Republikës lidhen me zgjedhjet, këto akte shqyrtohen nga Kolegji Zgjedhor. Praktikisht, ai ka paracaktuar vendimin e Kolegjit”, thuhet në një deklaratë të Sekretarit për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso.
Rama tha për Radio Europa e Lirë se Gjykata Kushtetuese e ka dhënë opinionin e vet kohë më parë, duke nënvizuar se aktet e Presidentit janë individuale dhe kur ato lidhen me zgjedhjet adresohen në gjykatën përkatëse, që në këtë rast është Kolegji Zgjedhor.
PD thotë se ky është mashtrim dhe akuzon Kryeministrin se kontrollon vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor.
“Kolegji Zgjedhor nuk merr dot në shqyrtim kushtetutshmërinë apo ligjshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës. Edi Rama mund të kontrollojë vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor, mund t’i shantazhojë gjyqtarët e këtij Kolegji me vetting, por nuk e ndryshon dot realitetin se data 30 Qershor nuk është më datë zgjedhjesh lokale në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
Kaso akuzoi se mazhoranca po shantazhon anëtarët e Kolegjit Zgjedhor me procesin e vettingut.
“Çfarëdo vendimi, nën shantazhin e procesit të vetingut, të marrin nesër anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, asgjë nuk e ndryshon faktin se 30 Qershori është një datë e shfuqizuar nga Dekreti në fuqi i Presidentit”, thotë zyrtari i PD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje