Politike

PD: Raprezalje e Qeverisë ndaj bizneseve. Po mbajmë shënim autorët

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se ka lëshuar me forcë organet tatimore ndaj bizneseve prodhuese në vështirësi duke u kërkuar shlyerjen e taksave dhe shtyrë këto biznese drejt falimentimit.

“Pasi i shmanget përgjegjësisë karshi biznesit dhe qytetarit, në kohë pandemie, i kërkon bizneseve me përdhunë të paguajnë për keqmanaxhimin e tij. I kërkon tatimorëve të sillen barbarisht ndaj bizneseve dhe sipërmarrjeve. Prandaj ato janë lëshuar si xhambazë anë e kënd vendit duke kërkuar me përdhunë taksa dhe duke kërcënuar me faliment ose gjoba të frikshme. “Parà ose faliment!” kjo është motoja e pandershme dhe mafioze që i ofrohet bizneseve nga xhambazët e rilindjes”, deklaroi ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji.

Salianji thotë se PD ka marrë me dhjetra denoncime nga biznese prodhuese që faktojnë represionin dhe kërcënimet mafioze të inspektoriateve shtetërore.

“Filozofia e Ramës dhe kësaj qeverie po bëhet përditë edhe më e qartë për këdo sipërmarrës, të punësuar apo dhe pensionist. Nuk kanë ndërmend të mbështesin biznesin prodhues vendas, nuk kanë ndërmend të ndihmojnë një punëdhënës të rëndësishëm dhe me peshë. Jo! Ata nuk mendojnë se shqiptarët kanë të drejta dhe se duhet të punojnë. Ata duan vetëm të përfitojnë dhe abuzojnë”, vijoi Salianji.

Gjithashtu, opozita thotë se do të mbajë shënim emrat e të gjithë inspektorëve që kërcënojnë bizneset e shqiptarëve me faliment dhe premton se nesë në pushtet do t’i ndëshkojë sipas ligjit.

“Shqiptarët nuk do të tremben dhe as do të kërcënohen nga mafiozët që u vendosin lakun në fyt gjithnjë e më shumë shqiptarëve. Askush nuk mund të detyrojë shqiptarët të paguajnë me gjakun dhe djersën e tyre harbimin pushtetar. Ata e kanë të qartë se kush është kryefajtori. Por dhe ne nuk do të harrojmë të çojmë përpara përgjegjësisë ato që sot fshihen pas urdhrit. Kjo nuk është një deklaratë hakmarrëse, por është zotimi për të vendosur drejtësinë dhe rendin përpara shumicës së heshtur. Atyre që kontribuojnë në heshtje në mirëqenien tonë”, deklaroi më tej ish-deputeti demokrat.

Opozita thotë se miliona euro po shpërdorohen përmes tenderave dhe PPP-ve korruptive, në një kohë që këto para mund të ishin përdorur për të ndihmuar sipërmarrjet dhe për të hapur vende të reja pune.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë