Politike

PD: Të dhënat e shqiptarëve në duart e patronazhistëve! 160 mln euro “dëm” për sigurinë kibernetike

Partia Demokratike është e bindur se pas të dhënave personale të mijëra shqiptarëve që po rrjedhin në publik fshihet dora e Qeverisë dhe e patronazhistëve të Partisë Socialiste.

Sipas Sekretarit për Organizimin Digjital, Endri Hasa, deklaratat e Kryeministrit Edi Rama se të dhënat janë marrë nga punonjës të brendshëm dhe më pas janë publikuar janë përpjekje për të mbuluar gjurmët.

“Edi Rama është përpjekur ta zvogëlojë skandalin, ta izolojë tek një person. Të gjithë e dinë që e bën për të mbuluar gjurmët e veta në këtë krim me përmasa të jashtëzakonshme! Krim nuk është vetëm publikimi i të dhënave! Krim është mbledhja e këtyre të dhënave që prekin sigurinë e qytetarëve për qëllime elektorale. Vjedhja e të dhënave të kartës së identitetit, vendit të punës, numrit të telefonit, pagës së qytëtarëve është pjesë e skemës kriminale të patronazhimit për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit”, tha Hasa.

Sipas Hasës, asnjë justifikim dhe alibi nuk do të mund të mbulojë të vërtetën.

“Edi Rama mund të përpiqet të mashtrojë shqiptarët me fjali të tilla se sot e tutje do t’i kushtojë më shumë vëmendje sigurisë së sistemeve të të dhënave personale, por e vërteta është ndryshe. Shqiptarët duhet të dinë se me taksat e tyre kanë paguar disa institucione që kanë për detyrë të ruajnë të dhënat e tyre”, tha Hasa.

Sipas PD-së, shqiptarëve u ka kushtuar 160 milionë euro siguria kibernetike, që të dhënat e tyre të jenë të sigurta dhe mos të përfundojnë në treg.

“Në këto 8 vjet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Autoriteti Kombëtar për certifikimin elektronik dhe Sigurinë Kibernetike kanë shpenzuar mbi 160 milionë euro. Këto para janë paguar për të vetmin qëllim, që të dhënat e qytetarëve shqiptarë të jenë të sigurta”, u shpreh më tej përfaqësuesi i PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë