Partia Demokratike thotë se të njëjtët persona të akuzuar për blerjen e votave në 2017 në dosjen e famshme 339, u angazhuan për Partinë Socialiste edhe në fushatën për zgjedhjet e 25 prillit.
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve nisi këtë të hënë shqyrtimin e ankimimeve të opozitës për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Qarkun e Durrësit. PD thotë se Ardian Çela ishte thjesht drejtuesi fiktiv i fushatës së socialistëve në këtë qark, ndërsa drejtuesi real ishte një tjetër.
“Drejtuesi faktit i Durrësit ishte Vangjush Dako, anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dhe i lidhur me bandat e kriminelët. Jurgis Çyrbja, i përfshirë në veprimtari kriminale, Ilir Ndraxhi, doli në përgjimet e Bild”, tha para KAS përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu.
Emra të tjerë që u përmendën para KAS nga ana e PD ishin edhe deputeti socialist, Rrahman Rraja, kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, Xhelal Rraja, Plator Mehmeti, Durim Keçi e deri te Altin Hajri, që sipas PD u aktivizua në zonën e Shijakut për të blerë vota, megjithëse ëshë në kërkim për vepra të rënda penale.
PD thotë se ka dorëzuar në SPAK 50 kallëzime penale për krime zgjedhore vetëm në Qarkun e Durrësit dhe këmbënguli që KAS të pranojë kërkesën e saj për prova shtesë të marra nga institucionet dhe entet shtetërore.
Ashtu si edhe në vendimmarrjen e Beratit dhe Gjirokastrës, KAS rrëzoi me shumicë votash këtë kërkesë, ndërsa me kërkesën e dy anëtarëve Elvis Çefa dhe Ledian Braho do të merren të dhënat e kryeqëzuara të pajisjeve të identifikimit elektronik të votuesve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje