Zëdhënësja Ina Zhupa në një deklaratë për mediat ka sulmuar kryebashkiakun Erion Veliaj se ka mashtruar qytetarët e Tiranës. Sipas saj, zonën e hyrjes te Parku i Liqenit jo vetëm do ta betonizojë, por me paratë publike po bën gati infrastrukturën për kullat private.
“Disa muaj më parë, në shtator të vitit të kaluar, Partia Demokratike publikoi disa dokumente zyrtare që zbuluan para qytetarëve planin e Erion Veliajt për ta kthyer zonën e Gardës te Parku i Liqenit në zonë të betonizuar për ndërtime.
Në atë kohë, ne e sfiduam Erion Veliajn që të mos u shiste qytetarëve propagandë, por të dilte në debat me ne dhe të shpjegonte përse në planin e Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, një pjesë e Liqenit Artificial, mu në hyrje të tij, do të betonizohej”, shprehet ndër të tjera Zhupa.
Zhupa po ashtu thekson se 4 ditë para shpalljes së rikandidimit luksoz që, sipas mediave, kushtoi më shumë se 1 milionë euro, Veliaj hapi tenderin 2 milionë euro për 650 metra rrugë tek ish-Garda.
Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, transmetoi para mediave, deklaratën e një viti më parë të kryebashkiakut, ku ai thoshte se nuk do të lejonte betonizim të Parkut të Liqenit dhe e ballafaqoi këtë si mashtrim me tenderin që Veliaj ka shpallur vetëm 4 ditë më parë dhe dëshmon të kundërtën.
“4 ditë përpara shpalljes së rikandidimit të tij luksoz, që sipas mediave ka kushtuar më shumë se 1 milionë euro, Erion Veliaj ka shpallur tenderin për ndërtimin e një rruge me gjatësi 650 metra. Rruga nuk ka ndonjë vlerë të shtuar për qytetin, por ajo do të marë rreth 2 milion euro nga taksat e qytetarëve për t’i shërbyer klientëve të Ramës dhe Veliajt. Ajo lidh zonën e Gardës me Rrugën e Kosovarëve, duke ndërtuar ekskluzivisht një rrugë të re për kullat që do të ndërtohen aty më vonë, pas prerjes së qindra pemëve, për gjoja ndërtimin e rrugës”, tha Zhupa.
Sipas Zhupës është jetike që Shqipërisë t’i jepet fund drejtimi nga Rama dhe Veliaj, dy njerëz të cilët i udhëheq babëzia për t’u pasuruar nëpërmjet betonizimit të kryeqytetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje