Politike

PD: Xhaçka përdor si taksi helikopterin e ushtrisë, 22 fluturime në 2 muaj

Partia Demokratike thotë se skandali i përdorimit të helikopterit të ushtrisë për takime elektorale nga ana e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka është shumë i thellë.

Ish-deputeti demokrat, Xhemal Gjunkshi doli me një deklaratë, ku tha se përdorimi i helikopterit “Cougar” nga ana e ministres Xhaçka nuk ishte hera e parë me denoncimin e rastit të filmuar në Dibër.

“Vetëm 2 muajt e fundit, helikopteri ushtarak operacional ka udhëtuar 22 herë për në Dibër me helikopter për t’i shërbuer Olta Xhaçkës. Nuk ka patur asnjë stërvitje, nuk ka qenë për asnjë detyrë të saj funksionale, por ka shkuar me funksionin e drejtueses së qarkut të Dibrës për Partinë Socialiste. Të përdoresh 22 herë brenda 2 muajve helikopterin ushtarak për punët e partisë nuk është vetëm shpërdorim skandaloz me detyrën, por edhe një abuzim i tmerrshëm me paratë e shqiptarëve”, tha Gjunkshi.

PD vlerëson se dëmi financiar i shkaktuar nga shpërdorimi i detyrës prej ministres Olta Xhaçka është rreth 100 milionë lek. Gjunkshi publikoi edhe datat, ku sipas tij, ministrja e Mbrojtjes ka fluturuar me helikopterin Cougar në drejtim të Dibrës.

Datat e fluturimit të helikopterit “Cougar” sipas PD.

“Helikopteri ushtarak, që përdoret për qëllime stërvitore, apo si ambulancë dhe operacione të tjera, që mban 27 persona në bord, përdoret si lodër nga Olta Xhaçka me 4-5 persona të stafit të ngushtë politik për qëllime partiake. Të dhënat tregojnë se sa herë Olta Xhaçka ka punë partie në Dibër, helikopteri ka bërë edhe 2 rrugë brenda ditës, vajtje-ardhje. Një herë e dërgon në Dibër dhe kthehet në Farkë, pastaj shkon sërish edhe për një rrugë tjetër për ta marrë nga zona e saj elektorale”, tha ish-deputeti i PD.

Opozita kërkon dorëheqjen e Xhaçkës dhe e paralajmëroi se ajo nuk mund t’i shmanget drejtësisë.

“Partia Demokratike do ta çojë deri në fund këtë çështje të abuzimit të rëndë me pushtetin dhe me fondet publike. Qytetarët nuk meritojnë këtë pushtet arrogant, brutal dhe të pandjeshëm”, tha Gjunkshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë