Ashtu siç kishin paralajmëruar, pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë janë hedhur në një grevë njëditore, ndërsa kërkojnë plotësimin e disa kërkesave.
Më 18 janar, Asambleja e Personelit Akademik të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë u mblodh për të diskutuar mbi gjendjen e krijuar në universitetet publike të vendit. Në vijim të qëndrimit mbështetës ndaj protestës së studentëve dhe kërkesave të tyre legjitime, pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë i falënderojnë ata për guximin dhe qëndresën qytetare. Ata dënojnë çdo formë presioni ndaj tyre dhe e cilësojnë Ligjin e Arsimit të Lartë si shkaktarin kryesor të gjendjes aktuale në universitete.
Për të tërhequr vëmendjen urgjente ndaj këtyre kërkesave, vendosën ta shpallin këtë të hënë ditë greve.
Ditën e sotme, pedagogët e FHH-së thanë se kanë vendosur të solidarizohen me studentët për realizimin e kërkesave të tyre.
Në një prononcim të shkurtër për mediat, shefi i Departamentit të Gazetarisë, Mark Marku, theksoi se vendimet e Këshillit të Ministrave janë në kundërshtim me frymën europiane. Ai tha mes të tjerash se Asambletë e të gjitha fakulteteve do të mblidhen për të marrë një vendim se cili do të jetë veprimi i radhës.

“Është mbledhur asambleja e Fakultetit. Asambleja është tërësia e pedagogëve. Ndaj është vendosur që të shpallet një grevë një ditore. Është pjesë e autonomisë, pavarësia në kërkimin shkencor dhe punët shkencore. Në një VKM thuhet se qeveria do të prodhojë një statut-tip dhe mbi këtë bazë do ndërtohen statutet e tjerë. Çdo universitet ka statutin e vet. Ky është cenim direkt i autonomisë. Ne jemi me vettingun, por kush do ta bëjë kontrollin e gradave. Ministria bën një VKM për bibliografinë. I bie që Ministria do bëjë librat për universitetin, si në shkollat fillore. Ne do caktojmë një ditë se kur do të mblidhemi bashkë me asambletë e tjera të fakulteteve dhe do të dalim me një qëndrim”, u shpreh profesor Marku.
Ndërkohë, zëvendësdekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Agron Gjekmarkaj, ka komentuar protestën e pedagogëve, të cilët kërkojnë rrëzimin e Ligjit e Arsimit të Lartë. Ai është shprehur se nëse kërkesat e pedagogëve nuk zgjidhen, çështja do kalojë te Gjykata Administrative.
“Ligji po fuste në një kakofoni universitetet. Nëse ligji nuk bie, universiteti asnjëherë nuk do të ketë paqe. Janë kërkesa që nuk mund t’i plotësojë trupa akademike, thjesht jemi solidarë me kërkesat e studenteve. Ne jemi këtu që të japim mësim dhe dije sa të mundemi. VKM-të kanë dalë një pas një si simite të ngrohta nga qeveria, një pjesë e tyre cenojnë autonominë e universiteteve. Universiteti i Tiranës do t’i drejtohet Gjykatës Administrative”, u shpreh ai.
Duka në mbështetje të pedagogëve të Fakultetit Histori-Filologji
Deputetja demokrate dhe ish-dekania e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Valentina Duka shprehet se mbështet nismën e pedagogëve në këtë fakultet.
Sipas saj, ajo që po ndodh është e paimagjinueshme në një vend demokratik, pasi akuzohet profesorati i studentëve. Duka thotë se Kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij qeveritar duhet të braktisin menjëherë demagogjinë, mashtrimet e sulmet dhe të plotësojnë sa më mirë kërkesat e studentëve.
“Skandaloze! E paimagjinueshme për një vend demokratik! Edi Rama kërcënon me gjuhë arrogante e me stil enverist pedagogët e universiteteve shqiptare! Skena të këtyre ditëve i ngjajnë një salle të madhe gjyqi ku i akuzuari nuk është kryeministri që po shkatërron Shqipërinë, por profesorati i universiteteve! “Faji” i këtyre të fundit? Nuk po “bëjnë zap” studentët në auditorë, për të mos i lejuar ata të protestojnë para kryeministrit!”, shprehet deputetja Duka.
Ajo thekson faktin se nuk po punohet për realizimin e kërkesave, por thjesht po bëhet një fushatë manipulimesh dhe kërcënimesh ndaj studentëve dhe stafeve universitare.
“Rama dhe kabineti i tij qeveritar duhet të braktisin menjëherë demagogjinë e mashtrimet dhe të plotësojnë sa më parë kërkesat e studentëve. Në vend që të punojë për të realizuar kërkesat e studentëve, qeveria ka filluar një fushatë manipulimesh dhe kërcënimesh ndaj studentëve dhe stafeve universitare, e shoqëruar kjo me një prirje arrogante për të denigruar e diskredituar pedagogët e universiteteve tona, duke u përpjekur më kot që fajtori për gjendjen e mjeruar të arsimit shqiptar të kërkohet tek ata dhe jo te qeveria e “Rilindjes”. Me keqardhje të thellë vërejmë se raporte të tilla të këqija e problematike të një qeverie me universitetin, nuk janë shfaqur në Shqipëri as në kohët më të errëta të komunizmit”, thotë Duka.

Duka i kërkon qeverisë që të marrë përgjegjësitë për plotësimin e kërkesave të studentëve, rritjen e pagave të pedagogëve, përpilimin e VKM-së, mos kthimin e Akademisë së Shkencave në një institucion të plagjiaturës.
“Në vend të talljes me studentët dhe me stafet akademike të universiteteve, në vend të përpjekjeve për t’i degraduar gjithnjë e më shumë, merrni mbi vete përgjegjësitë e duhura për të plotësuar kërkesat e studentëve që këta t’u rikthehen auditorëve, bëjuani dinjitoze pagat pedagogëve që të mos jenë të varur nga shitja shpesh e librave, përpiloni VKM që i shërbejnë shëndoshjes së situatës dhe jo shkatërrimit të institucioneve, mos e ktheni Akademinë e Shkencave në institucionin e policisë së plagjiaturës, sepse universitetet mund dhe duhet të ngrenë vetë mekanizmat e tyre kundër plagjiaturës në qoftë se mbështeten financiarisht nga qeveria, mos ndërtoni grupe pune për të përcaktuar librat me të cilat do të punohet në universitete sepse kjo nuk ka ndodhur as në ditët më të egra të diktaturës, literatura është eskluzivitet i departamenteve të universiteteve, por ju duhet të jepni fonde për këtë qëllim”, shprehet ndër të tjera deputetja e PD-së.
Nga ana tjetër, grupe të caktuara studentësh vijojnë bojkotin e mësimit te Fakulteti Ekonomik, Juridik dhe te Arkitektura. Të ndarë në grupe të vogla, studentët e disa fakulteteve vijojnë të mbajnë peng zhvillimin normal të procesit mësimor, pavarësisht njoftimeve të sekretarive se mësimi ka filluar dhe studentët duhet të paraqiten në sallat e leksioneve dhe seminareve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje