Gjatë mbledhjes së zhvilluar paraditen e sotme në godinën “Iliria”, mes Senateve Akademike, pedagogët e UT vendosën që t’i japin vetëm një javë afat kohor qeverisë që të anulojë ligjin për armimin e lartë si dhe rishikimin e VKM-ve.
Ishte shefi i Departamentit të Gazetarisë, Mark Marku, që bëri thirrje për të reaguar, pasi nuk mund të lejohet askush që të cenojë dinjitetin e tyre.
“Sot me VKM-të jemi shndërruar në një universitet pa kurrfarë autonomie universitare dhe liri akademike. Ky është një test për ne. A jemi ne një trupë e vdekur siç shpreson qeveria dhe uron që të jemi? A do të kemi forcë reaguese ta refuzojmë këtë gjendje? Unë mendoj që po është koha. I kemi të gjitha mundësitë dhe nuk kemi pse të kemi frikë. Nuk ka arsye që një pedagog dhe një njeri i lirë të ketë frikë. U bëj thirrje të gjithëve të reagojmë sepse kemi dinjitetin dhe duhet ta mbrojmë dhe nuk duhet të lejojmë askënd që të na cenojë”, shprehet Mark Marku.
Pedagogët e Universitetit të Tiranës u shprehën në unison se nëse qeveria nuk do të reagojë pozitivisht ndaj kërkesave të tyre, pedagogët do të pezullojnë procesin mësimor si dhe do të përshkallëzojnë protesta deri në grevë urie.
Kërkesat e tyre:
Rinkonfirmojmë mbështetjen e studentëve për kërkesat e tyre.
Shprehemi kundër Ligjit “Për arsimin e Lartë” 80/2015, si dhe kërkojmë shprehjen e vullnetit të qeverisë për fillimin e procesit legjislativ për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në bashkëpunim me studentë, pedagogë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një proces konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
Kërkojmë shfuqizimin e menjëhershëm të VKM-ve të datës 26 dhjetor 2018: Nr.777, Nr.781, Nr. 783, si dhe urdhrat po të datës 26 dhjetor: Nr.183: Nr.184: Nr.185, të cilat bien në kundërshtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike.
Kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik, si dhe
Ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese ndaj pedagogëve dhe miratimin e statusit të pedagogut.
“Presim përgjigje dhe masa konkrete brenda datës 1 shkurt 2019 për pikat e mësipërme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do t’i drejtohemi të gjithë trupës akademike të universiteteve publike në nivel kombëtar, për grevë të përgjithshme. Ftojmë të gjitha universitetet e tjera publike të shprehen dhe të koordinojnë qëndrimet për sa më sipër”, thuhet në deklaratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje