Bota

“Pegasus”, Macron ndryshon celularin dhe forcon masat e sigurisë

Presidenti francez Emmanuel Macron vendosi të ndryshojë një nga numrat e tij të telefonit dhe madje edhe celularin, si një masë paraprake, pasi media zbuloi se ai ishte subjekt i një tentative spiunazhi nga inteligjenca marokene përmes softuerit “Pegasus”.

“Nuk ka siguri në këtë fazë, – tha një zyrtar i Elysée. – Për disa nga komunikimet e tij, vetë presidenti vendosi të ndryshojë telefonin dhe numrin dhe kërkoi një forcim të të gjitha protokolleve të sigurisë”. Macron kishte thirrur një takim të jashtëzakonshëm mbi sigurinë kombëtare të enjten në mëngjes.

Numri i “iPhone”-it i Macron tashmë i kishte shpëtuar sekretit të nevojshëm midis dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale 2017, kur kandidati i atëhershëm i preferuar, u spiunua nga hakerët rusë në çështjen “MacronLeaks”.

Pastaj shërbimet franceze e kishin këshilluar presidentin e ri të ndalonte përdorimin e këtij telefoni celular dhe ta zëvendësonte atë me linjën speciale të telefonave “Teorem” ose “Cryptosmart”, që përdoren në Elysée. Sidoqoftë, Emmanuel Macron nuk e kishte ndjekur rekomandimin.

Sipas gazetës “Le Monde”, Macron ka të paktën katër telefona, përfshirë dy “iPhone”, që i përdor për biseda private, por zyrtarisht jo sekrete. Presidenti francez gjithashtu ka një model të quajtur “CryptoSmart”: një “Samsung” me siguri të përforcuar, që e lejon të bëjë thirrje dhe të dërgonjë mesazhe të koduara me tekst, por vetëm për ata që kanë të njëjtin model.

Dhe në fund, ai ka një “Teorem”, “një telefon ultra të sigurt” të prodhuar nga kompania franceze “Thalès”, i cili, duke qenë “i rëndë, kompleks dhe jo shumë komod, përdoret vetëm për komunikimet më të ndjeshme në Francë”.

Debati është përqendruar më shumë në atë se si një vend mik si Maroku mund të ketë spiunuar kreun e shtetit, më shumë se për mendjelehtësinë e Macronit, i cili nuk i mbrojti siç duhet komunikimet e tij.

Gazeta “Libération”, kujton se edhe paraardhësit e presidentit – socialisti François Hollande (2012-2017) dhe konservatori Nicolas Sarkozy (2007-2012) – përdorën telefona të pasigurt pa kujdesin e nevojshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë