Politike

Për herë të parë fletët e votimit do të riciklohen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë nesër vendim për asgjësimin e fletëve të votimit që u përdorën për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. Për herë ta parë, përveç djegies së tyre, merret në konsideratë edhe riciklimi. Ky vendim merret në bazë të nenit 178, pika 6 ku është përcaktuar se KQZ ka detyrimin ligjor për të hapur të gjitha kutitë gjashtë muaj pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Vendimi i KQZ-së për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve është marrë sipas relacionit më 27 korrik dhe tani KQZ-së i mbetet vetëm të realizojë procesin e asgjësimit të fletëve të votimit.
“Gjashtë muaj pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit, dokumentacionin që ndodhet në kutitë e materialeve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit asgjësohen sipas mënyrës së përcaktuar nga KQZ-ja”, thuhet në Kodin Zgjedhor.

Nga mbledhja e KQZ-së


Në praktikat e mëparshme, KQZ-ja i ka djegur fletët e votimit të përdorura si në zgjedhjet lokale ashtu edhe ato të përgjithshme. Por kësaj radhe do të përdoret një mënyrë më ekonomike e asgjësimit, ajo e riciklimit.

Faksimile e projektvendimit të KQZ-së

“Ky opsion është marrë në konsideratë dhe propozohet, pasi në tregun vendas ka disa kompani, që kanë objekt të biznesit të riciklimit, të cilat mundësojnë realizimin e këtij procesi që mund të sjellë përfitime në materiale të buxhetit të shtetit”, thuhet në relacionin e projektvendimit të siguruar nga Gazeta “Si”. Nëse zgjidhet ky opsion atëherë KQZ-së i duhet të hapë ankandin (tender) për të përzgjedhur firmën fituese. Në zgjedhjet lokale të 30 qershorit nuk mori pjesë opozita e cila e bojkotoi procesin. Kjo bëri që edhe numri i pjesëmarrësve në votim të ishte ulët. Për dy palë fletë votimi, një për kryetarin e një për këshillin bashkiak, llogaritet se janë shpërndarë mbi 1,6 milionë fletë votimi. Numri i pjesëmarrësve në këto zgjedhje ishte më i ulëti në histori, pasi morën pjesë 881.727 zgjedhës (ose 22%) nga 3.536.016 zgjedhës në total.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë