Ne rrjet

Perëndimi i përgjigjet Kinës, 600 mld dollarë për të rivalizuar “Rrugën e Mëndafshit”

Udhëheqësit e vendeve të G7 janë zotuar të mbledhin 600 miliardë dollarë fonde private dhe publike gjatë pesë viteve të ardhshme për të financuar infrastrukturën në vendet në zhvillim dhe për t’iu kundërvënë projektit më të vjetër, shumëtrilion dollarësh të Kinës, “Rrugës së Mëndafshit”.

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe liderë të tjerë të G7 rinisën të dielën “Partneritetin për Infrastrukturën dhe Investimet Globale” të riemëruar rishtazi në mbledhjen e tyre vjetore që po mbahet këtë vit në Schloss Elmau në Gjermaninë jugore.

“Vendeve në zhvillim shpesh u mungon infrastruktura thelbësore për të ndihmuar në përballimin e goditjeve globale, si një pandemi, kështu që ata i ndjejnë ndikimet më akute dhe e kanë më të vështirë të rikuperohen”, tha Biden.

“Ky nuk është vetëm një shqetësim humanitar, është një shqetësim ekonomik dhe sigurie për të gjithë ne”, vijoi Presidenti amerikan.

Shtetet e Bashkuara, tha ai, do të mobilizojnë 200 miliardë dollarë grante, fonde federale dhe investime private gjatë pesë viteve për të mbështetur projekte në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që ndihmojnë në trajtimin e ndryshimeve klimatike, si dhe përmirësimin e shëndetit global, barazisë gjinore dhe infrastrukturës digjitale.

“Dua të jem i qartë. Kjo nuk është ndihmë apo bamirësi. Është një investim që do të sjellë rezultate për të gjithë”, tha Biden, duke shtuar se do t’i lejojë vendet të “shikojnë përfitimet konkrete të partneritetit me demokracitë”.

Biden tha se qindra miliarda dollarë shtesë mund të vijnë nga bankat shumëpalëshe të zhvillimit, institucionet financiare të zhvillimit, fondet sovrane të pasurisë dhe të tjera.

“Europa do të mobilizojë 300 miliardë euro për iniciativën gjatë së njëjtës periudhë për të ndërtuar një alternativë të qëndrueshme ndaj projektit të Kinës, të cilën presidenti kinez Xi Jinping nisi në vitin 2013, tha në mbledhje presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. .

Liderët e Italisë, Kanadasë dhe Japonisë folën edhe për planet e tyre, disa prej të cilave tashmë janë bërë të ditura veçmas. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Boris Johnson nuk ishin të pranishëm, por edhe vendet e tyre po marrin pjesë.

Skema e investimeve të Kinës përfshin zhvillim dhe programe në më shumë se 100 vende që synojnë krijimin e një versioni modern të rrugës së lashtë tregtare të Rrugës së Mëndafshit nga Azia në Europë.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se plani ka dhënë pak përfitime të prekshme për shumë vende në zhvillim dhe se ai i bllokon vendet marrëse në borxhe dhe me investime që Kina i përdor si kurth për të rritur influencën në vendet e tjera.

Biden theksoi disa projekte kryesore, duke përfshirë një projekt zhvillimi të energjisë diellore prej 2 miliardë dollarësh në Angola me mbështetjen e Departamentit të Tregtisë, Bankës së Eksportit-Importit të SHBA, firmës amerikane AfricaGlobal Schaffer dhe zhvilluesit të projektit amerikan Sun Africa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë