Për herë të parë që nga viti 2014, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo, dy yjet që kanë dominuar futbollin botëror prej shumë vitesh, nuk do të jenë në finalen e Champions League. Tashmë edhe për “Topin e Artë” nis një epokë e re.
Zotët e futbollit janë duke u bërë vend në Olimp kampionëve të së ardhmes. Për momentin, Salah, Uijnaldum dhe ndoshta De Jong, nëse Ajaksi kualifikohet për në finale ndaj Totenhemit, janë duke hyrë me majat e gishtave, por mundësitë e tyre janë konkrete për të marrë skenën e futbollit botëror. Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo nuk do të luajnë në finalen e Champions League, asnjëri prej tyre. Asnjëri nuk do të ketë nderin të ngrejë në qiell Kupën. Që nga sezoni 2013-2014, të paktën njëri prej tyre ka qenë gjithmonë i pranishëm.

Sfida në Champions ka qenë thelbësore në duelin e tyre të përjetshëm. Mesi dhe Ronaldo shpesh kanë ndërruar vendin me njëri-tjetrin në fronin e të mëdhenjve të futbollit botëror. Në vitin 2014, portugezi e çoi Real Madridin në çatinë e Europës, në derbin me Atletikon. Vitin pasardhës ishte radha e argjentinasit ta bënte këtë gjë me Barcelonën në finalen me Juventusin. Dhe më pas dominimi i Realit me 3 Champions radhazi. Holandezët e Ajaksit, të freskët dhe zbavitës, eliminuan Juventusin. Luftëtarët e Liverpulit shkruan historinë ndaj Barcelonës. Ndërrimi i gjeneratave ka dhënë efekt.
Që futbolli po ndryshon, është diçka reale dhe që kjo ndikon në dhënien e çmimit prestigjioz “Topi i Artë”, është po ashtu shumë reale. Gjatë viteve të fundit nuk ka pasur histori: Mesi dhe Ronaldo kanë sfiduar njëri-tjetrin edhe falë finales së Championsit, që ka ndikuar fort në vlerësimet dhe çmimet për ta. Duke përjashtuar Luka Modriç, fituesin e “Topit të Artë 2018”, stafeta mes tyre zgjat prej vitit të largët 2008. Dhe ka ardhur momenti që vendin e tyre ta marrin fenomenët e rinj. Skena është për ta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje