Futboll

Perez konfirmohet president i Realit, nis gjuetinë për Mbape dhe Haland

Nuk kishte dyshime, por tani është zyrtare: i përjetshmi Florentino Perez do të jetë president i Real Madridit edhe për 4-vjeçarin e ardhshëm. Asnjë surprizë përballë rizgjedhjes së tij deri në 2025-ën, pasi nuk kishte kandidatë rivalë që mund ta pengonin rrugëtimin e tij.

Perez është zgjedhur për herë të parë president i madrilenëve në 2000-ën, kur spostoi Lorenco Sanz. Më pas është konfirmuar në 2004-ën, 2009-ën, 2013-ën, 2017-ën dhe tani në 2021-shin. Si numri 1 i Realit ka fituar 26 trofe, mes të cilëve 5 Liga Kampionësh. Ai ka sjellë në Madrid një numër impresionues lojtarësh klasi, si Figo, Zidan, Ronaldo Fenomeni, Bekham, Kakà, Kristiano Ronaldo, Benzema, Bale etj.

Kilian Mbape feston një gol ndaj Barcelonës. Gazeta Si, 13 prill 2021

Janë kampionë të së shkuarës dhe të së tashmes, të cilëve në të ardhmen do t’u shtohen të tjerë “top player” të futbollit botëror. Kilian Mbape dhe Erling Haland janë në shënjestër të presidentit Perez, pasi janë ata sulmuesit e mandatit të tij të ri, në të cilin synon të fitojë edhe 6 titujt që e ndajnë nga rekordi i Santiago Bernabeut.

Reali i Florentino Perez tani është në garë për të fituar La Ligën dhe Ligën e Kampionëve (duhet të kalojë Liverpulin për të shkuar në gjysmëfinale). Pavarësisht krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia, Perez vazhdon ta programojë të ardhmen duke synuar më të mirën që ofron merkatoja. Dhe Mbape është objektivi kryesor për 4-vjeçarin e ri presidencial, por edhe Haland nuk mbetet prapa. Për francezin puna do të përqendrohet që këtë verë, sepse duhet një yll për “Bernabeun” e ri, që do të jetë gati në 2022-shin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë