Politike

Turizmi ankohet te Basha: Kemi 5 kërkesa për Qeverinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi këtë të martë një takim me përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Turizmit. Sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike, në këtë takim përfaqësuesit e turizmit i kanë shprehur kreut të opozitës shqetësimin për mungesën e mbështetjes nga Qeveria.

Në takim kanë marrë pjesë Enver Mehmeti, Presidenti i shoqatës, Zak Topuzi, Kryetar i Sektorit të Hoteleve dhe Sokol Hoxha, Kryetar i Sektorit te Agjencive Turistike. PD thotë se tre përfaqësuesit në fjalë kanë ngritur shqetësimin se kushtet e sigurisë të vendosura nga Qeveria si pjesë e masave kundër koronavirusit kanë koksto shtesë për operatorët turistikë.

“Standardet e reja që po vendosen nga qeveria kanë një kosto shtesë të konsiderueshme, për të cilat nuk është dhënë asnjë ndihmë financiare. Gjetja e një formule mbijetese është ajo çfarë vlen më shumë tani për turizmin”, citohen tre përfaqësuesit në fjalë nga zyra e shtypit e PD.

Tre përfaqësuesit e shoqatës thonë se kjo është goditja e dytë pas tërmetit të nëntorit dhe tashmë kjo industri nuk diskuton fitimin, por mbijetesën, pasi janë anuluar të gjitha prenotimet.

Partia Demokratike thotë se sektori i turizmit punëson rreth 93 mijë person drejtpërdrejtë dhe rreth 200 mijë të tjerë që përfitojnë nga zinxhiri i aktivitetet turistike. Për këtë arsye, opozita kërkon që ky sektor të përfshihet tek paketat e ndihmës financiare të Qeverisë.

“Qindra mijëra familje në fshat jetojnë me të ardhurat nga turizmi, ndërkohë që është lënë në harresë, jashtë paketës së parë dhe të dytë. Deri më sot, operatorët nuk kanë përfituar mbështetjen për pagën e punonjësve dhe nuk kanë arritur as të përfitojnë nga garancitë sovrane, për shkak të vonesave në nxjerrjen e akteve nënligjore nga qeveria”, thotë PD.

Në njoftimin e saj, selia blu thotë se përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Turizmit kanë vënë theksin tek tre kërkesa për rimëkëmbjen e sektorit, si ndihmë financiare për mbajtjen e punëtorëve, subvencionim të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, sigurimin e likuiditetit përmes skemave të garancisë shtetërore pa kosto për biznesin, anulimin, apo shtyrjen e detyrimeve tatimore qendrore dhe vendore dhe bashkëpunim me vendet e tjera, sidomos ato fqinje për rakordimin e politikave të hapjes dhe mundësive për turizëm.

Për kreun e opozitës Lulzim Basha të gjitha kërkesat e përfaqësuesve të turizmit janë të drejta dhe duhen të zbatohen sa më parë nga qeveria. Basha i siguroi punonjësit e sektorit të turizmit dhe përfaqësuesit e tyre se do të bëjë çmos që zëri i tyre të dëgjohet, me qëllim mbështetjen e turizmit, si një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë