Futboll

Përgjysmohet Lacio, Tare: Situatë surreale, mund të shtyjmë ndeshjen

Para ndeshjes me Bryzhin në Ligën e Kampionëve, drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, ka folur për situatën që po kalon ekipi këto ditë, kur grupi i futbollistëve është përgjysmuar nga Covid-19. Tare theksoi se pritet përgjigja e tamponëve për disa futbollistë, mes tyre edhe portieri i Kombëtares, Tomas Strakosha.

Ka mundësi që Lacio të kërkojë shtyrjen e ndeshjes me Torinon, e planifikuar për të dielën. “Po përjetojmë një situatë surreale. Shtyrja e ndeshjes? E kemi menduar, por duhet të presim të gjitha verifikimet nga tamponët dhe të premten do të bëjmë llogaritë”, – pohoi drejtuesi shqiptar i Lacios, që barazoi 1-1 në Belgjikë, ku shkoi me një organikë mjaft të reduktuar.

Trajneri Simone Inzagi nuk kishte të gatshëm lojtarë, si Strakosha, Eskalante, Radu, Luliç, Imobile, Lukas Leiva, Luiz Felipe, Kataldi, Luis Alberto, Proto, Laxari, Djavan Anderson dhe Armini. Në këto kushte ai grumbulloi disa lojtarë nga të rinjtë. “Duhet të mendojmë pozitivisht”, – tha në fund Tare. Tani pritet përgjigja e tamponëve për lojtarët që nuk ishin me skuadrën në Belgjikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë