Futboll

Përmbysja epike, kur Mançesteri hipnotizonte Bajernin 21 vite më parë

Zotat e sportit janë në gjendje t’i thyejnë hierarkitë dhe “rregullat” në një moment, por në rastin e ndeshjes Mançester Junajtid-Bajern Mynih, finalja e Ligës së Kampionëve të vitit 1998-99, 2-1, e kanë vënë dorën shumë rëndë. Epilogu më i pabesueshëm i një finaleje të kompeticionit madhor të klubeve në Europë mbush sot 21 vjeç. Ai 26 maj i 1999-ës mbetet një “kult” i futbollit ndërkombëtar.

Sfida luhet në “Camp Nou”, ku tifozët anglezë dhe gjermanë krijojnë jo pak probleme për sigurinë para ndeshjes. Arbitron më i miri i futbollit europian, Pierluixhi Kolina, një zgjedhje logjike pas eliminimit të Interit dhe Juventusit. Mançester Junajitd është i frymëzuar nga Juventusi i Marçelo Lipit dhe i karikuar pas fitimit të titullit kampion në Angli, si dhe “FA Cup”. Por në Barcelonë mungojnë Roi Kin dhe Pol Skolls të skualifikuar.

Mançester Junajitd feston me trofeun e Ligës së Kampionëve. Gazeta Si 26 maj 2020

Edhe Otmar Hitzfeld nuk i ka punët mirë, pasi i mungojnë Elber dhe Lizarazu. Megjithatë, ndeshja bëhet e lehtë për gjermanët, teksa Mario Basler gjen golin pas 5 minutash me një goditje dënimi të “hidhur”. Bavarezët tërhiqen dhe lojën e udhëheq 38-vjeçari Mateus në rolin e liberos. Derisa “plakushi” është në fushë, Mançesteri nuk gjen hapësira dhe luan me topa të gjatë. Jork dhe Kol nuk arrijnë të bëjnë asgjë dhe Ferguson hedh në fushë dyshen rezervë të sulmit, Sheringam dhe Solskjaer, të cilët as vetë nuk e imagjinojnë atë që vjen më pas.

Zotat janë me anglezët. Bajerni godet dy herë shtyllën me Sholl dhe Janker, kurse Basler i afrohet golit të dytë. Mateus ulet në stol, pasi edhe ai vetë është i bindur se ka në dorë një nga të paktët trofe që i mungon. Por jo, më pas vjen furtuna. Mançesteri barazon në minutën e 91-të: Bekham kroson nga këndi, del përpara edhe Shmeikel, ndërsa prekja vendimtare e Sheringam në rrëmujë e çon topin në rrjetë.

Të gjitha skuadrat e botës në këtë pikë kënaqen dhe përqendrohen te shtesa, por nuk ka përfunduar. Në minutën e 93-të, tjetër goditje këndi për Mançesterin dhe Bekham kroson në zonë, Sheringam devijon me kokë dhe Solskjaer e shtyn topin në rrjetë. Gëzim i shfrenuar te anglezët, vështrimi i Mateus humb në dëshpërim, kurse Kufur shpërthen në lot dhe gjuan me grushte fushën si fëmijë. Kolina vërshëllen për fundin e ndeshjes pak sekonda më pas: Mançester Junajitd kthehet në majë të Europës pas 31 vitesh.

Përmbledhja e finales së 1999-ës, Mançester Junajtid-Bajern, 2-1. Gazeta Si, 26 maj 2020


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë