Politike

Përmbytjet në Shkodër, SHBA gati të ofrojë ndihmë për të prekurit

Gazeta Si – SHBA-të kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje për përballimin e situatës së përmbytjeve, ku qarku i Shkodrës është më i prekuri.

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim përmes një postimi në Twitter konfirmoi mbështetjen dhe shprehu ngushëllime për humbjen e jetëve në Malësi e Madhe.

“Jemi të pikëlluar për vdekjen dhe dëmet që rezultuan nga përmbytjet shkatërruese në veriun e Shqipërisë. Shprehim ngushëllime për familjet e atyre që humbën njerëzit e tyre të dashur dhe respekt për guximtarët shqiptarë që ndihmojnë bashkëqytetarët e tyre. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje sipas nevojës”, shkruan Kim.

Ndërkohë, mbi 240 efektivë të Forcave të Armatosura, me 25 motomjete dhe pajisje të posaçme për përmbytjet janë përqendruar në këto dy qarqe, në ndihmë edhe të forcave të tjera operacionale.

Për shkak të pranisë së ujit në banesa, është bërë evakuimi i 50 familjeve në bashkinë Shkodër dhe 3 familjeve në fshatin Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe. Të evakuuarit janë strehuar në konviktet e shkollave dhe pranë të afërmve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë