Politike

Përplasja me Berishën, Basha thërret mbledhjen e Kryesisë së PD

Kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet pasditen e së hënës për të diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit brenda opozitës.

Mbledhja është thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi që u ka dërguar një mesazh anëtarëve të këtij forumi.

“Diskutime dhe vendimmarje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj”, thuhet në mesazhin e Bardhit.

Përplasja mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës brenda PD-së është përshkallëzuar që pas vendimit të ish-kreut të kësaj partie për të thirrur më 11 dhjetor Kuvendin e jashtëzakonshëm kombëtar. Për këtë qëllim, Berisha thotë se kanë firmosur 4200 delegatë të Kuvendit.

Identitetet e firmëtarëve, sipas Berishës do të zbulohen gjatë Kuvendit Kombëtar, ndërsa drejtuesit e PD-së mund të verifikojnë origjinalitetin e këtyre firmave. Por, Gazment Bardhi ka hedhur dyshime se firmat e nevojshme për të thirrur Kuvendin nuk janë mbledhur. Ai thotë se për këtë arsye ato po mbahen të kyçura në zyrën e Edi Palokës, që është kryetar i Këshillit Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë