Bashkia e Durrësit mbetet një vatër përplasjesh mes drejtuesve të saj, ku përplasja e fundit i ka kushtuar postin e nënkryetarit Arbër Brahos, djali i ish-deputetit të LSI-së dhe të Partisë Socialiste, Spartak Braho.
Vendimi i marrë nga kryetarja në detyrë, Emiriana Sako pasoi deklaratën e Arbër Brahos, që tha se aktualisht Bashkia e Durrësit drejtohet de facto nga ish-kryebashkiaku i saj, Vangjush Dako, i shpallur “non grata” familjarisht nga SHBA.
Shkarkimi i Arbër Brahos është bërë të martën më 9 nëntor, vetëm një ditë pasi ai ka denoncuar me një status në rrjetet sociale se ish-kryetari Vangjush Dako dhe tërthorazi pasuesen e tij në detyrë për abuzime me fondet publike.
Në intervistat televizive të dhëna në këto dy ditë, Arbër Braho u qëndron akuzave të hedhura ndaj Vangjush Dakos dhe kryetares së bashkisë në detyrë, Emiriana Sako. Në postimin social, Braho i kujton Dakos dosjen “339”, që ka të bëjë me akuzat e hedhura kundër tij për shit-blerje të votave.
“O xhuxhi 339, në lidhje me ato që folëm paradite, unë s’mund të them kurrë hajdut për ty. Ti minimumi mund të jesh kryetari i grupit të hajdutëve që vetë ti ke sjellë si kryetar në Bashkinë Durrës pas ikjes tënde dhe s’po e lëshoni këtë qytet që të marrë frymë me vjedhje pafund. Ju, që s’keni lënë lekët e dosjeve të letrave e stilolapsëve, normalisht që s’mund të linit as lekët e autoshkollës pa marrë dhe merrni dhe të hidrovorit, apo e kam gabim? E që s’kam folur deri tani që thua ti, jo se isha pjesë e hajdutëve, me vinte zor mua që vidhnit ju”, shkruante ai.
Braho akuzon se prej muajsh nuk ka asnjë komunikim me kryebashkiaken e Durrësit dhe se nuk është thirrur në mbledhjet e kësaj bashkie pikërisht për faktin se ai ka kundërshtuar, siç thotë, aferat korruptive dhe vjedhjen e fondeve në këtë institucion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje