Partia Demokratike është përfshirë në përplasjen mes Presidentit Ilir Meta dhe Qeverisë në lidhje me financimin e projekteve infrastrukturore në rrethin e Vlorës. Opozita akuzon qeverinë përmes Dorian Telitit për papërgjegjshmëri në menaxhimin e financave publike të vendit.
“Anulimi i projektit për rehabilitimin e Lumit të Vlorës, duke lënë në mes dhe të papërfunduar një investim të nisur prej kohësh, aq të nevojshëm për banorët e zonës, është tregues sesa pa plan, pa vizion dhe sa i dështuar është Edi Rama. Gjithashtu është një rast i përsëritur që dëshmon se me Edi Ramën në krye të qeverisë, në Shqipëri nuk ka shtet ligjor, por vetëm interesa personale të pushtetit”, deklaroi Teliti.
Opozita i jep të drejtë Presidentit Meta dhe thotë se në këtë projekt është shkelur Kushtetuta dhe nuk janë respektuar ligjet në negocimin e termave të marrëveshjes. Si provë, Teliti solli, sipas tij, edhe deklaratat kontradiktore mes Kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Financave, Anila Denaj.
“Edhe për një rast kaq flagrant, Edi Rama gënjeu. Ministrja e tij e Financave e nxori bllof, kur e përgënjeshtroi shefin e saj mashtrues dhe pohoi se për borxhin 30 milionë euro nuk janë bërë negociata. Nuk ka patur negociata as për afatet kohore të borxhit, as për normat e interesit, pra për kostot e kësaj huaje 30 milionëshe, të cilat do të paguhen nga të gjithë ne, qytetarët e Shqipërisë”, shtoi Teliti.
Ministrja e Financave reagoi përmes një deklarate publike.
“Qeveria Rama në vitin 2016, reformoi procedurat e marrëveshjeve ndërkombëtare, përmes një ligji të ri në standardet e vendeve më të zhvilluara. Përpara këtij viti dhe në kohën e Partisë Demokratike, Qeveria e PD-së merrte borxh sipas dëshirës, me një autorizim të thjeshtë titullari. Mund të mirëkuptoj padijen e opozitës për proceset dhe detyrimet ligjore të përmbushura me përpikmëri nga Qeveria, por nuk mund të toleroj keqinformimin publik! Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet e hapur të ndajë me palët e interesuara informacionin, që dëshmon zbatimin e legjislacionit dhe mbrojtjen e interesit publik, sikundër e sanksionon Kushtetuta. Ngjyrimet politike nuk mund të fshehin faktin, se kemi të bëjmë vetëm me rishikimin e objektit të financimit dhe aspak të termave financiarë, duke mos i sjellë asnjë kosto shtesë buxhetit të shtetit”, tha Denaj.
Ministrja deklaron se projektet infrastrukturore në Vlorë nuk mund të pengohen dhe ato janë premtime që do të mbahen nga kjo qeveri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje