Politike

Përplasja për objektin e kërkesës së Berishës për mbledhjen e Kuvendit

Deputeti i PD, Ervin Salianji thotë se kërkesa që po firmosin delegatët e Kuvendit Kombëtar nuk bazohet në statutin e partisë, se asaj i mungon një objekt i qartë dhe se Lulzim Basha nuk mund të shkarkohet.

Ai deklaroi se për të vendosur për kryetarin, duhet pritur viti 2025.

“Lulzim Basha nuk shkarkohet si kryetar partie sepse kërkesa për shkarkimin e kryetarit të partisë, minimalisht, duhet të nisë nga Këshilli Kombëtar me një mocion të arsyetuar dhe duhet të votohet nga 50 për qind +1 dhe pasi të kalojë në Këshill duhet të kalojë edhe në Kuvendin Kombëtar. Këto janë elemente të palëvizshme në këto 4 vite, përfshirë edhe kryetarin e partisë. Elementet e tjera duhet të kenë mundësi të adresohen për t’i dhënë më shumë mundësi partisë. Askush nga ne nuk mund të dalë kundër votës së anëtarësisë, por ka rregulla dhe norma për t’u përcaktuar”, thotë Salianji.

Por çfarë kërkohet në formularin që plotësojnë demokratët që kanë dalë në mbështetje të Berishës? Objekti i kërkesës për mbledhjen e Kuvendit përmban pesë pika. Pika e fundit flet për çështje të përgjithshme, ndërsa katër të tjerat janë si më poshtë:

Miratimi i ndryshimeve statutore sipas propozimeve konform nenit 43/4 dhe 60 të statutit të PD për rivendosjen dhe garantimin e demokracisë në vendimmarrjen në forumet e Partisë Demokratike. Analiza e qëndrimeve të kryetarit Basha ndaj parimeve themelore e normave të statutit dhe ndaj forumeve të Partisë Demokratike.

Vendimmarrje sipas ndryshimeve statutore të propozuara dhe thirrja e referendumit të anëtarëve të Partisë Demokratike për të miratuar vendimet e Kuvendit Kombëtar.

Përcaktimi i aksionit politik opozitar të Partisë Demokratike.

Sipas Salianjit, ndryshimet statutore nënkuptojnë shqyrtimin e vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin nga grupi parlamentar të Sali Berishës pas ndryshimeve statutore. Ai thotë se rregullat e reja nuk mund të kenë fuqi prapavepruese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë