Bota

Përplasje në Bejrut në përvjetorin e shpërthimit të portit, dhjetëra të plagosur (Foto)

Në Bejrut, mijëra njerëz kujtuan me një minutë heshtje përvjetorin e parë të shpërthimit në port që vrau mbi 200 njerëz dhe dëmtoi një të tretën e kryeqytetit libanez.

Gjatë përkujtimit, disa grupe demonstruesish goditën me gurë policinë dhe gjatë përleshjeve, disa persona u plagosën dhe u transportuan në spitalet aty pranë.

Shumica e të plagosurve janë mes demonstruesve, por disa oficerë u përfshinë gjithashtu. Policia mohoi lajmin në lidhje me përdorimin e plumbave të gomës që u qëlluan kundër protestuesve, të cilët u përpoqën të çanin pengesat metalike të ngritura prej më shumë se një viti pranë Place de l’Etoile në Bejrut për të mbrojtur parlamentin libanez.

Gjatë ceremonisë përkujtimore, këmbanat e kishave binin në mënyrë të përsëritur, ndërsa nga altoparlantët e xhamive dëgjoheshin vargje nga Kurani.

Një moment tensioni pati mes protestuesve pro qeverisë dhe atyre kundër qeverisë libaneze. Turmat që morën pjesë, u mblodhën përgjatë korsive të autostradës që kalon përgjatë portit të Bejrutit, me procesione nga qytete të ndryshme të vendit dhe nga rrethe të ndryshme të kryeqytetit.

Mes protestuesve ishin edhe të afërmit e viktimave, aktivistët e shoqërisë civile, ndjekësit e platformave kritike politike të sistemit politik të akuzuar për korrupsion dhe qeverisje të keqe, anëtarët e organizatave dhe kategorive profesionale si mjekë, juristë dhe mësues.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë