Anëtarët socialistë të Komisionit Hetimor të Incineratorëve kërkuan përjashtimin e gazetarit Artan Rama nga lista e dëshmitarëve të thirrur për koncesionin e incineratorit të Elbasanit me arsyetimin se ai kishte konflikt interesi dhe papajtueshmëri.
Gazetari Artan Rama ka kryer dy investigime në lidhje me incineratorin e Elbasanit, i pari lidhet me procedurat e ndjekura dhe i dyti për impiantin djegës dhe prodhimin e energjisë elektrike. Në investigimin e parë, gazetari thotë se koncesioni është dhënë pa shpallur një gjendje emergjence mjedisore.
Për këtë investigim, kompania “Albtek Energy” e ka paditur në gjykatë për shpifje dhe prishje imazhi. Artan Rama tha se padia është regjistruar në gjykatë, por ai nuk është marrë ende si i pandehur nga prokuroria.
“Unë kam bërë disa shkrime në lidhje me inceneratorët dhe me kompanitë që kanë marrë përsipër ndërtimin e tyre. Një prej këtyre shkrimeve është objekt i një padie civile në gjykatë. Ende nuk ka filluar si proces. Unë kam pasur padi të tjera të cilat i kam fituar, për shkak të punës që unë bëj. Unë mendoj se reputacioni është diçka që iu takon si njerëzve dhe kompanive por është diçka që nuk fitohet në gjykatë por duhet fituar”, tha gazetari Rama.
Partia Demokratike tha se Rama nuk është në konflikt interesi dhe kërkoi që ai të dëgjohet para Komisionit.
“Besoj edhe nga përgjigja e kolegut Rama, jeni të qartë se Artani është papajtueshmëri në Statusin e Dëshmitarit, e thotë ligji, Neni 156, germa Ç. Nuk është e udhës që të vazhdojmë në shkelje të rregullores, të ligjit. Mos na detyroni ta çojmë komisionin në ato hullira që nuk shkojnë që të kërkojmë edhe shkarkimin tuaj si kryetare e komisionit sepse jeni në shkelje të komisionit, rregullores, ligjit dhe Kodit të Procedurës”, tha deputeti i PS-së, Besjan Ajazi.
Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku akuzoi socialistët se po mbrojnë kriminelët në kërkim.
“Z.Ajazi për sa kohë ne këtu jemi duke hetuar një aferë korruptive që është shkelur ligji me të katërta këmbët dhe po flisni dhe po mbroni kriminelë në kërkim. Frikë nuk duhet të kem unë nga ligji. Frikë duhet të kenë ata që po mbrojnë kriminelët nga ligji”, tha ajo.
Tabaku akuzoi se socialistët duan të pengojnë dëshminë edhe të anëtarëve të komisionit të prokurimit që miratuan dhënien me koncesion të incineratorit të Elbasanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje