Presidenti Ilir Meta nga qyteti i Fierit teksa u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në votime, ka komentuar dhe situatën e fundit të marrëdhënieve të tij me ambasadoren amerikane, Yuri Kim.
Meta i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve se si janë marrëdhëniet me ambasadoren e SHBA, duke theksuar se çdo gjë është në rregull.
Ai është shprehur se marrëdhëniet me ambasadoren amerikane kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të shkëlqyera.
“Marrëdhënia me ambasadoren ka qenë gjithmonë e shkëlqyer. Primare është mbarëvajtja e këtij procesi, pasi është vendimtar për hapjen e negociatave me BE-në. Marrëdhëniet e mia me SHBA-të do të mbeten të shkëlqyera. Zgjedhjet janë të mrekullueshme, kudo janë të mrekullueshme, në Shijak të mrekullueshme, kudo është fantastike”, është shprehur Meta.
Ndër të tjera, Meta vlerësoi procesin e qetë të votimit në Fier, por edhe në të gjithë vendin, duke bërë thirrje që kjo të vijojë deri në fund të procesit të votimit, por edhe gjatë numërimit të votave.
“Dua të përshëndes të gjithë qytetarët e Fierit për pjesëmarrjen e mrekullueshme, por edhe për gjithë ecurinë e shkëlqyer të ditës së sotme këtu. Për fat të mirë, kjo po ndodh kudo në gjithë vendin. Është një nga ditët e mrekullueshme të vendit tonë, pasi është dita kur jo vetëm të gjithë shqiptarët kanë mundësinë të tregojnë besimin që kanë te demokracia, besimin që kanë në vetvete për të qenë pjesë e kontributit të tyre për legjitimitetin e komisioneve të reja, por edhe duke treguar një mirëkuptim e bashkëjetesë demokratike, që duhet të vazhdojë deri në fund të procesit të votimit, dhe më pas edhe në administrimin e gjithë këtij procesi, sa i takon numërimit”, tha Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje