Bota

Përshkallëzohen luftimet pranë Kievit, kërkohet evakuimi i një qyteti

Banorëve të qytetit ukrainas të Boryspil, rreth 40 kilometra larg Kievit, u është kërkuar të largohen urgjentisht nga zona nëse munden, ndërsa luftimet kundër forcave ruse po përshkallëzohen.

“I bëj thirrje popullatës civile që të tregohet e zgjuar, të kontaktojë qendrën tonë të thirrjeve dhe të largohet nga qyteti sa më shpejt që të shfaqet një mundësi”, tha kryetari i bashkisë, Volodymyr Borysenko përmes një video-mesazhi të shpërndarë nëpër rrjetet sociale.

Ai tha se njerëzit duhet të evakuojnë qytetin nëse nuk janë në gjendje që të luftojnë, pasi “tashmë po zhvillohen luftime shumë pranë zonës”.

Një pjesë e banorëve janë të vendosur afër aeroportit ndërkombëtar Boryspil të Kievit – aeroporti më i madh i Ukrainës, i cili ishte mes objektivave kryesore të bombardimeve ruse në fillim të ofensivës.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase thanë se të paktën 15,300 trupa ruse janë vrarë që nga fillimi i luftës. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës rendit gjithashtu mes dëmeve që i ka shkaktuar Rusisë edhe 509 tanke, 1,556 automjete të blinduara luftarake dhe 252 sisteme artilerie.

Rusia ka dhënë vetëm një herë një shifër për humbjen e trupave të saj më 2 mars me 498 të vdekur, ndërsa SHBA së fundmi vlerësoi se rreth 7,000 trupa ruse ishin vrarë në konflikt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë