Nga Aleksandër Marku – Disa orë pas riformatimit thuajse të gjysmës së kabinetit të qeverisë shqiptare, Athina zyrtare që ndjek prej kohësh me shqetësim marrëdhëniet me Tiranën, përpiqet të kuptojë thelbin e ndryshimeve që kërkon të sjellë Edi Rama me këtë lëvizje që shumë mund ta konsiderojnë befasuese.
Në dukje, heqja e ministrave që kishin gati pesë vjet në qeveri, cilësohet si një frymë rinovimi që e kërkonte momenti dhe zhvillimet politike të javëve të fundit, sidomos për të qetësuar protestat e vazhdueshme dhe në rritje të filluara nga studentët, por që kërcënonin të merrnin dimensione më të gjera –komentojnë disa analistë grekë.
Duket se kjo lëvizje interpretohet edhe si një mesazh që nuk vlen vetëm për Greqinë, por për të gjithë rajonin, pasi kërkon të nxjerrë në pah “unitetin” shqiptarëve , nisur nga fakti që dy prej ministrave të rinj janë shqiptarë të Kosovës.
Por për disa të tjerë, ajo që shqetëson Athinën është padyshim largimi i Ditmir Bushatit nga posti i ministrit të Jashtëm. Të gjithë në Athinë e dinë se Bushati ka udhëhequr për muaj të tërë negociatat bashkë me ish-ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kotzias dhe ajo që tashmë jo vetëm që nuk pëshpëritet, por thuhet me zë të lartë në korridoret diplomatike, apo sallat editoriale të shtypit është fakti që paketa e marrëveshjeve mes dy vendeve, për të cilën u punua aq shumë, ndodhet në ajër.
Kjo jo vetëm për faktin e ikjes së dy ministrave të cilët ishin ekspertë dhe njohës të jashtëzakonshëm bashkë me stafet e tyre të të gjitha çështjeve të paketës, por edhe për shkakun se negociatat ishin të bazuara edhe në njohjen e tyre personale dhe një marrëdhënie respekti të ndërsjelltë.

Në mediat greke është bërë shumë shpejt i njohur portreti i kryediplomatit të ri shqiptar, si një politikan i studiuar në Kosovë, në Bruksel dhe Hungari në Universitetin me studime pasunivesitare në filozofi, shkencat politike dhe juridik, thuhet gjithashtu se ai ka qënë edhe në ekipin e negociatave të Shqipërisë me BE.
Por burime diplomatike në Greqi e dinë se megjithë dëshirën për vazhdimin e negociatave mes dy vendeve, tashmë do të duhet një periudhë e madhe kohore, e mjaftueshme për të pasur një informim dhe për të sqaruar disa çështje tepër të ndjeshme që kishin negociuar personalisht zotërinjtë Kotzias dhe Bushati.
Përveç të tjerash, klimën thuajse të akullt në marrëdhëniet greko-shqiptare e ka rënduar jo vetëm vdekja e Konstandin Katsifës në Bularat, por edhe gjithçka që pasoi pas këtij incidenti. Nga njëra anë, dhjetëra grekë kryesisht përkrahës të Agimit të Artë , tashmë persona-non grata dhe deklaratat e kryeministrit Rama dhe nga ana tjetër kërcënimet e herëpashershme në javët e fundit të kreut të opozitës greke, apo deklaratat e ndërsjellta të ministrive të Jashtme të të dy vendeve, janë ato që sintetizojnë peisazhin aspak optimist të marrëdhënieve dypalëshe.
Sikur të mos mjaftonte gjithë kjo, në lojë futet edhe një impakt tepër i vështirë si ai i pronave në jug, të cilat shteti shqiptar i konsideron pronë shtetërore dhe ia kalon ministrisë së Turizmit, në një përpjekje për një plan të madh zhvillimi turistik të kësaj zone.
Nga tjetër ka protesta të dhjetëra minoritarëve, kryesisht nga Himara, të cilët deklarojnë se disa prej këtyre pronave u janë marrë pa të drejtë, sepse u takojnë atyre dhe padyshim që ky fakt shkakton edhe reagimin e Athinës.
Kjo ndodh vetëm disa muaj para zgjedhjeve lokale në Shqipëri, në një kohë kur Tirana pret në qershorin që vjen datën e fillimit të negociatave me BE. Ajo që tashmë presin të gjithë, madje e konsiderojnë edhe si fakt të kryer është sjellja e re e Athinës. Ndonëse pa shumë deklarata ,vjet mbështetësja më e madhe e Tiranës për integrimin europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë, bën tashmë të qartë se nëse nuk do të ketë një sinjal pozitiv në këto gjashtë muaj të mbetur, edhe gadishmëria e saj do të jetë zero.
Athina, që monitoron nga afër zhvillimet në Tiranë dhe pa përjashtuar disa lëvizje impresionuese nga Edi Rama e di se një “Carta bianca” europiane për Shqipërinë nuk mund të luajë rolin e dikurshëm në marrëdhëniet greko-shqiptare , pasi udhëheqësi shqiptar është i vetëdijshëm se tashmë nuk varet vetëm nga Greqia vendimi i BE-së qershorin e ardhshëm për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Përkundrazi, do të jenë disa vende europiane që mund t’i mbyllin derën Shqipërisë duke vendosur si pretekste të fuqishme çështje të tilla që kanë të bëjnë me shtetin ligor, funksionimin e sektorit të drejtësisë, krimin e organizuar, pastrimin e parave, trafikimin e drogës.
Përfundimi i analistëve grekë në fushën e politikës së jashtme është se z. Rama duke parë që vendimi për të hapur negociatat e anëtarësimit bëhet gjithnjë e më i vështirë, nuk do të jetë aspak i gatshëm për të marrë hapat e nevojshme që kërkohen për një normalizim të marrëdhënieve greko-shqiptare, për të promovuar marrëveshjen për Zonat Detare dhe për respektimin e plotë të të drejtave të minoritetitgrek.
Madje nuk mund të përjashtohet që kryeministri shqiptar të kërkojë tensione të mëtejshme me Greqinë, për të kultivuar një klimë nacionaliste dhe anti-greke në një përpjekje,siç thonë ata, për të fshehur përgjegjësinë personale në faktin që Shqipëria do të mbetet ende në sallën e pritjes së BE-së, duke ja atribuar këtë përgjegjësi Greqisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje