Një shaka e nxituar ka pasoja të mëdha për yllin e Anglisë dhe të Totenhemit, Dele Ali, i cili është skualifikuar për ndeshjen me Mançester Junajitd. Dënimi për të është dhënë nga “Football Association” në Angli për shkak të një videoje, ku futbollisti bënte shaka me Koronavirusin.
Kampionati i Premier Ligës po bëhet gati të rifillopjë dhe të gjithë mezi po presin të zbresin në fushë, ndërsa Dele Ali duhet të presë edhe pak për ta shijuar këtë kënaqësi. Ai do të jetë mungesa e luksit, që me siguri do ta nervozojë trajnerin Zhoze Mourinjo, pasi nuk do ta ketë për ndeshjen me Mançester Junajitd. Pak muaj më parë, kur nuk flitej ende për pandemi dhe Mbretëria e Bashkuar ishte e qetë, një video e publikuar nga Dele Ali, bëri xhiron e botës.

Lojtari i Totenhemit shfaqej me maskë, teksa ishte në pritje për të marrë avionin në aeroportin e Hithrout. Ai kishte inkuadruar një person që për nga paraqitja dukej nga lindja dhe shkruante: “Virusi duhet të jetë më i shpejtë që të më kapë”. Në fakt, virusi e ndali, sepse Federata Angleze (FA) vendosi të aplikojë një dënim maksimal për një rast të tillë. Dele Ali është skualifikuar për një ndeshje, është gjobitur me 50 mijë stërlina dhe është i detyruar të marrë pjesë në një kurs riedukimi. Gjithçka për një sjellje me karakter racist.
Sipas “Goal”, FA ka shpjeguar me saktësi vlerësimin për videon e Alit. “Nuk është një sjellje e mirëfilltë raciste, por në mënyrë aspak inteligjente ai ka shpërndarë një video me një stereotip racist, duke tentuar të bëjë një batutë. Personi në video është zgjedhur nga paraqitja e tij e jashtme. Dhe zgjedhja e këtij ‘objektivi’ në video konsiderohet një stereotip racist, duke qenë se personi duket një aziatik që mund të ishte infektuar nga Koronavirusi”. Ky është argumentimi i FA-së. Pra, nuk ka pasur vullnet për sjellje raciste, por batuta e Ali ka dalë shumë keq dhe i ka kushtuar jo pak.
Burimi: “Goal”/Përktheu: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje