Britania është gjunjëzuar nga karantina masive për shkak të Covid 19. Supermarkete gjysëm të zbrazëta, bare dhe restorante të mbyllura, trena të anuluar, karburantet në vështirësi, një situatë në disa mënyra më e keqe se ajo që ndodhi vitin e kaluar, kur shpërtheu pandemia.
Ndërkohë, aplikacioni i gjurmimit që shumica e popullsisë ka shkarkuar, është i pamëshirshëm: mjafton të biesh në kontakt edhe nga distanca me dikë që është pozitiv me virusin dhe “ping” arrin në celular, sinjal që dikush duhet të shkojë në izolim.
Është vlerësuar se për momentin ka 1.7 milionë punonjës të detyruar në karantinë: midis tyre edhe kryeministri Boris Johnson dhe kreu i opozitës Laburiste, Keir Starmer.
Rezultati është që supermarketet nuk janë në gjendje të furnizojnë veten e tyre në mënyrë adekuate, sepse kamionët nuk mund të punojnë në dërgesa dhe stafi i tyre është i dëmtuar.
Prandaj, në të gjithë Anglinë ka mungesa të produkteve të freskëta, nga peshqit, fruta-perimet, buka, te mishi, uji mineral dhe letra higjienike. Disa zinxhirë ushqimorë, madje janë detyruar të mbyllin disa dyqane.
Sidoqoftë, bllokimi i detyruar goditi mbi të gjitha pubet dhe restorantet, me pak kuzinierë dhe kamerierë: dhe viktima më “e famshme”, është restoranti legjendar i hotelit “Ritz” në Londër, i cili kishte qëndruar i hapur edhe gjatë bombardimeve naziste, por tani ka përfunduar duke iu nënshtruar karantinës.
Dorëzimi në shtëpi i ushqimit, i cili është bërë një zakon për shumë britanikë gjatë pandemisë, gjithashtu po vuan pasojat e kësaj situate.
Transporti gjithashtu lë për të dëshiruar. Fundjavën e kaluar, disa linja të metrosë së Londrës u pezulluan dhe trenat ecin me një shpejtësi të reduktuar në të gjithë rrjetin hekurudhor kombëtar.
Probleme edhe për shoferët: BP ka njoftuar mbylljen e shumë stacioneve të benzinës, sepse dërgesat e karburantit nuk arrijnë.
Royal Mail pranoi vonesat në dërgesat me postë, shumë spitale kanë anuluar operacionet dhe shumë shkolla u desh të mbyllen herët për shkak të mungesave masive të nxënësve (në Britani kalendari i shkollës arrin në fund të korrikut).
Edhe mbeturinat në disa zona nuk mblidhen më dhe ka dasma të anuluara në momentin e fundit, sepse bashkëshortët janë “frikësuar” nga aplikacioni i gjurmimit.
Problemi është se fundi i të gjitha kufizimeve filloi në fillim të javës, në mes të valës së tretë të Covid për shkak të variantit “Delta”, i cili ka shkaktuar një rritje të infeksioneve, duke detyruar miliona njerëz të futen në izolim. Vetëm javën e kaluar, mbi 600.000 qytetarë përfunduan në karantinë.
Shumë njerëz kërkojnë që ata që janë plotësisht të vaksinuar, të përjashtohen nga karantina, por qeveria është e prerë: sistemi aktual do të mbetet në fuqi deri më 16 gusht, me përjashtime të rralla në sektorët e energjisë dhe telekomunikacionit. Do të jetë një verë e nxehtë për Britaninë e Madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







Lini një Përgjigje