Politike

Pista e aeroportit të Vlorës mbyllet brenda vitit, Balluku: Kemi respektuar lejet mjedisore, nuk ka asnjë ndikim negativ

Kompania që po ndërton aeroportin e Vlorës synon që brenda vitit të përmbyllë ndërtimin e pistës dhe të ngrejë strukturën metalike të terminalit të tij.

Në kantier ishte këtë të premte Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Behgjet Pacolli dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

“Brenda vitit pritet që të përfundojë ndërtimi i pistës, kulla e vrojtimit dhe ngrihet karabinaja e terminalit”, deklaroi ministrja Balluku.

Afati i përfundimit të punimeve është prilli i vitit 2024. Ministrja Balluku u shpreh optimiste se punimet do të përmbyllen brenda këtij afati, ndërsa pretendoi se aeroporti as po ndërtohet brenda një zone të mbrojtur dhe as do të ketë ndikim në mjedis.

“Ne kemi kryer të gjitha veprimtaritë sa i përket lejes mjedisore. Kjo është zonë lagunore dhe ka disa specie zogjsh. Këtu nuk ndodhemi në një zonë të mbrojtur. Është zonë ushtarake, pistë e natyrale e ndërtuar në 1920 nga ushtria italiane. Asnjë pjesë e aeriportit nuk është në zonën e mbrojtur dhe nuk do të ketë asnjë ndikim negativ mjedisor”, tha ajo.

Nisja e punimeve u kundërshtua nga ekspertët mjedisorë, ndërsa kritikët e tjerë të kësaj vepre thanë se qeveria kishte injoruar ligjet, duke filluar punimet me rastin e Pavarësisë vitin e kaluar pa marrë më parë as leje ndërtimi dhe as deklaratë mjedisore.

Në fillim të vitit të kaluar dhjetra organizata mjedisore në Shqipëri dhe në vendet fqinje i dërguan një letër të hapur qeverisë shqiptare ku kundërshtonin këtë projekt. Sipas ekspertëve të mjedisit, shkel konventat ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar, siç është Konventa e vitit 1979 për Konservimin e Specieve Migratore të Kafshëve të Egra dhe Konventa e Bonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë